Kurti kujton fëmijët martirë të luftës: Sakrifica e tyre na kujton çmimin e lartë të lirisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar Leotrim Ahmetin dhe Xufe Ahmetin, dy fëmijë që humbën jetën tragjikisht gjatë luftës së Kosovës. Kurti ndau një histori prekëse nga sulmet serbe në fshatin Rezallë të Skenderajt më 11 shtator 1998, kur familja Ahmeti dhe shumë të tjerë u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre për…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar Leotrim Ahmetin dhe Xufe Ahmetin, dy fëmijë që humbën jetën tragjikisht gjatë luftës së Kosovës.
Kurti ndau një histori prekëse nga sulmet serbe në fshatin Rezallë të Skenderajt më 11 shtator 1998, kur familja Ahmeti dhe shumë të tjerë u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të sulmeve me minahedhës.
Kurti përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, ka kujtuar atë se çfarë kishte rrëfyer nëna e Leotrimit: “Oj nanë, kqyr se edhe unë kam diçka në bark, jam sëmut prej barku. Kur ia kam hjek teshat ia kam parë se iu kish qky barku dhe i kishin ra zorrët. Ia kam qit xhemperin me ia mbulu. Më ka thënë: Ma nanë, mos m’prek, se po m’dhem’ shumë’”.
Pavarësisht përpjekjeve për t’i shpëtuar, të dy fëmijët nuk mbijetuan. Leotrimi vdiq në Spitalin Ushtarak në Gradicë të Drenasit.
Kurti mes tjerash tha se duke e kujtuar sakrificën e fëmijëve të vrarë mundohen të qëndrojnë në rrugën e drejtësisë dhe të paqes, për t’u siguruar që të gjithë fëmijët e Kosovës, të mund të luajnë të lirë, pa frikën e plumbave dhe granatave.
“Sakrifica e tyre na kujton se sa i lartë është çmimi i lirisë sonë. Lavdi”, ka shkruar Kurti. /Lajmi.net/