Vendos KQZ: Rinumërim të votave për kandidatë në të gjitha komunat

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës. Në këtë mbledhje, është vendosur që pas 10 Komunave, edhe 28 të tjerat të shkojnë në rinumërim të plotë të votave. Nga ky vendim del që të gjitha vendvotimet në Kosovë do të rinumërohen përsëri. Ky vendim i KQZ-së, ka ardhur pasi që pas rinumërimit…

Lajme

19/01/2026 13:47

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës.

Në këtë mbledhje, është vendosur që pas 10 Komunave, edhe 28 të tjerat të shkojnë në rinumërim të plotë të votave.

Nga ky vendim del që të gjitha vendvotimet në Kosovë do të rinumërohen përsëri.

Ky vendim i KQZ-së, ka ardhur pasi që pas rinumërimit të votave plotësisht në 10 Komuna dhe vetëm 10% e tyre në Komunat e tjera, janë vërejtur manipulime me vota.

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se sot kanë pranuar raport nga procesi i deritashëm i rinumërimit të vendvotimeve nga komuna të ndryshme të Republikës së Kosovës që po zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Ai ka thënë se për dallim nga votat për subjektet politike, të dhënat për kandidatët pas rinumërimit, paraqesin një shkallë të lartë të pasaktësive në numërim.

“Sipas raportit nga vendvotimet e rinumëruara në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, rezulton se pas rinumërimit në QNR janë zbritur nga rezultati 36,007 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 20,978 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në QKN. Ndryshimi në numrin e votave të kandidatëve pas rinumërimit tregon se procesi i numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike ka pasur pasaktësi”, ka thënë Radoniqi.

Ai ka thënë se Komuna e Prizrenit është rasti më ekstrem.

“Pas rinumërimit në QNR të komunës së Prizrenit janë zbritur nga rezultati 29,343 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN të Prizrenit. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 16,366 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në këtë QKN”, ka thënë Radoniqi.

Në Komunat e tjera të rinumëruara, Radoniqi ka thënë se nuk vërehen dallime të mëdha në vota të kandidatëve.

“Ndryshimet përfshijnë gabimet eventuale të regjistrimit të votave të kandidatëve dhe shtimin e votave si rezultat i rivlerësimit të fletëvotimeve të pavlefshme, por në vendvotime të caktuara janë evidente ndryshime me të mëdha tek disa kandidatë”, ka shtuar Radoniqi.

Ai ka propozuar që të rinumërohen të gjitha vendvotimet edhe në 28 komunat tjera.

Kjo është miratuar nga anëtarët e KQZ-së dhe vendi shkon në rinumërim të të gjitha votave. /Lajmi.net/