KQZ-së i duhen 12-14 ditë që të rinumërohen votat e kandidatëve për deputetë në disa Komuna, larg shpallja e rezultateve përfundimare
Sot, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ka filluar që të rinumërohen fletëvotimet në disa vendvotime, saktësisht në 914 nga gjithsej 2 mijë e 557 sosh. Zëdhënësi i KQZ-së, valmir Elezi në një konferencë për media, ka thënë se numërimi do të bëhet në 20 tavolina numërimi dhe brenda ditës, planifikohet të rinumërohen mesatarisht 80…
Lajme
Sot, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ka filluar që të rinumërohen fletëvotimet në disa vendvotime, saktësisht në 914 nga gjithsej 2 mijë e 557 sosh.
Zëdhënësi i KQZ-së, valmir Elezi në një konferencë për media, ka thënë se numërimi do të bëhet në 20 tavolina numërimi dhe brenda ditës, planifikohet të rinumërohen mesatarisht 80 kuti votimi.
Ky rinumërim, sipas Elezit, pritet të zgjas nga 12 deri në 14 ditë.
“Sipas vendimit të KQZ-së, në 10 komuna do të rinumërohen 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, do të rinumërohen nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut)”, theksoi ai.
Ai ka treguar se ky vendim i KQZ-së ka ardhur pas gjetjeve nga verifikimi i votave të kandidatëve për deputetë nga 33 vendvotime të ndryshme, që ka thënë se ka rezultuar se votat e kandidatëve të numëruara në QKN, nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve të evidentuara në fletëvotime. /Lajmi.net/