Izraeli do të ishte i gatshëm të ndërmjetësonte dialogun Kosovë-Serbi, për ta ndryshuar imazhin e Jerusalemit

Marrëdhëniet kosovaro-izraelite janë të ndërtuara mbi premisat e guximit, përkundër presioneve nga bota arabe, Turqia, Serbia, e madje rezervave nga BE-ja. Madje, në rast gatishmërie mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe përkrahjes ndërkombëtare, Izraeli do të mund të shërbente si ndërmjetës i dialogut Kosovë-Serbi, me qëllim të përmirësimit të imazhit të Jerusalemit nga ‘zonë konflikti’ në element paqeje. Të paktën, kështu ka thënë Remi Daniel, ekspert i Institutit të Studimeve të Sigurisë Kombëtare në Izrael, në një intervistë ekskluzive për lajmi.net.

Lajme

20/05/2022 20:45

Besnik Gashi

Sipas Daniel, Izraeli mund ta mbështesë edhe nëpërmjet të drejtës së votës, por edhe lobimit tek shtetet e tjera për anëtarësimin e Kosovës nëpër organizatat ndërkombëtare. Eksperti izraelit komentoi edhe vizitën e fundit të kryediplomates kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz, të cilën e pa si fazë të dytë të, siç e quajti ai, plotësimit të kornizës politike të marrëdhënieve.

“Marrëdhëniet ndërmjet Izraelit dhe Kosovës janë fenomen relativisht i ri dhe ato janë ende në fazat e hershme. Dy vendet e njohën njëri-tjetrin më pak se dy vite më parë dhe është normale që marrëdhëniet e të tyre nuk janë mjaft të zhvilluara. Pas fazës së parë të njohjes, marrëveshjet që u nënshkruan pas vizitës së znj. Gërvalla -Schwarz sinjalizojnë një fazë të dytë: marrëveshja e Washingtonit ndërtoi kornizën politike të marrëdhënieve, marrëveshjet e fundit janë përpjekje për ta mbushur këtë kornizë me përmbajtje që do të forcojë marrëdhëniet dhe do t’i afrojë të dy popujt me njëri-tjetrin. Fakti që marrëveshjet fokusohen në fushat ekonomike, kulturore dhe shkencore nuk është gjithashtu rastësor. Të dy vendet ende duhet të njohin njëri-tjetrin më mirë dhe iniciativat që mundësojnë bashkëpunim më të mirë midisshoqërive civile janë vendimtare në këtë kontekst”, deklaroi ai.

Eksperti i sigurisë në Izrael foli edhe për deklarimet e ambasadorit palestinez në Serbi, Mohammed Nabhan, i cili kërkoi nga kryediplomatja kosovare largimin e ambasadës së Kosovës nga Jerusalemi. Ai këto deklarime i pa të natyrshme, meqë siç tha ai, të tilla janë reagimet e diplomacisë së botës arabe ndaj Jerusalemit.

Lajmi.net: Le të fillojmë me vizitën e kryediplomates kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz, në Izrael, e cila u pasua me një sërë marrëveshjesh: memorandum bashkëpunimi në shkencë dhe kulturë dhe më pas marrëveshje për bashkëpunim për arkivat e dy vendeve. Duhet të kujtoj se vitin e kaluar ka pasur një marrëveshje mes Odave Ekonomike të dy vendeve. A mund të sinjalizohet kjo vazhdimësi e marrëveshjeve si zgjerim i marrëdhënieve?

Remi Daniel: Marrëdhëniet ndërmjet Izraelit dhe Kosovës janë fenomen relativisht i ri dhe ato janë ende në fazat e hershme. Dy vendet e njohën njëri-tjetrin më pak se dy vite më parë dhe është normale që marrëdhëniet e të tyre nuk janë mjaft të zhvilluara. Pas fazës së parë të njohjes, marrëveshjet që u nënshkruan pas vizitës së znj. Gërvalla -Schwarz sinjalizojnë një fazë të dytë: marrëveshja e Washingtonit ndërtoi kornizën politike të marrëdhënieve, marrëveshjet e fundit janë përpjekje për ta mbushur këtë kornizë me përmbajtje që do të forcojë marrëdhëniet dhe do t’i afrojë të dy popujt me njëri-tjetrin. Fakti që marrëveshjet fokusohen në fushat ekonomike, kulturore dhe shkencore nuk është gjithashtu rastësor. Të dy vendet ende duhet të njohin njëri-tjetrin më mirë dhe iniciativat që mundësojnë bashkëpunim më të mirë midisshoqërive civile janë vendimtare në këtë kontekst.

Kosova së fundi ka aplikuar në Këshillin e Evropës, e cila pritet të ketë 2/3 e votave për anëtarësim. Megjithatë, oreksi i Kosovës për të qenë pjesë e institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare duket se nuk përfundon me Këshillin. Kosova po synon të aplikojë edhe në programin e NATO-s, Partneriteti për Paqe, në mënyrë që gradualisht të bëhet pjesë e Aleancës Veri-Atlantike. A mund të luajë Izraeli një rol pozitiv në këtë drejtim?

Çështja e organizatave ndërkombëtare është çështje delikate për Izraelin, pasi është një nga fushat në të cilat palestinezët po përpiqen të bëjnë përparimin e kauzave të tyre, gjë që e shqetëson shumë Jerusalemin. Megjithatë, nuk ekziston asnjë arsye që Jeruzalemi të mos mbështesë lëvizjet e Prishtinës për të qenë pjesë e institucioneve ndërkombëtare, aq më tepër që marrëdhëniet e tyre dypalëshe bazohen në një marrëveshje të mbështetur nga SHBA-ja.

Izraeli ka mundur të krijojë marrëdhënie të mira me NATO-n pa u anëtarësuar në të.

Shteti është partner i ngushtë i aleancës, në të cilën ajo ka miq me të cilët mund të ngrejë çështjen e aplikimit të Kosovës në programin ‘Partneriteti për Paqe’. Ngjashmërisht, Izraeli nuk është pa aleatë edhe në Këshillin e Evropës dhe mund të luajë një rol pozitiv në operacionet diplomatike të Kosovës. Megjithatë, pyetja për Kosovën duhet të parashtrohet kështu: a duyhet të jetë Izraeli vendi në shënjestër të përpjekjeve diplomatike? Kosova ka miq shumë më të fuqishëm në Evropë dhe në NATO se Izraeli dhe ky i fundit mund të hezitojë të jetë shumë i zëshëm në favor të Kosovës, nëse Greqia dhe Qiproja, dy vende që ende nuk e njohin Kosovën dhe që janë aleatë të ngushtë të Izraelit, bëjnë presion mbi qeverinë izraelite. Në tërësi, unë do t’u rekomandoja diplomatëve kosovarë që të fokusohen në vendet më të fuqishme që kanë më shumë hapësirë për manovrim, edhe pse Izraeli mund të luajë një rol pozitiv margjinal, të paktën duke votuar në favor të kërkesave të Kosovës.

Disa muaj më parë, gjatë luftës së paprovokuar në Ukrainë, presidenti i këtij shteti të fundit, Volodymyr Zelensky, kërkonte vetëm Izraelin për bisedimet me Vladimir Putin, të cilin e shihte si ‘tokë neutrale’. Ajo që po ndodh mes Kosovës dhe Serbisë është e ashtuquajtura ‘luftë hibride’, siç e ka theksuar dhjetëra herë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti . ‘Lufta hibride’ e ka distancuar liderin kosovar dhe atë serb që të ulen në tryezë për dialog. Duke qenë se Izraeli është shtet njohës i të dyja vendeve, a mund të konsiderohet si ndërmjetës dhe ‘terren neutral’ për dialogun Kosovë-Serbi?

Izraeli është përpjekur, siç përmendët ju, të luajë një rol pozitiv në angazhimet diplomatike në gjetjen e një zgjidhje politike për luftën në Ukrainë. Megjithatë, këto përpjekje kanë qenë pak të frytshme. Edhe përpara se situata në terren të bënte që ukrainasit dhe rusët të largoheshin nga tryeza e negociatave, lëvizjet izraelite duhej të ndaleshin për shkak të situatës së brendshme politike të Izraelit që kërkonte kujdes të menjëhershëm nga qeveria, si dhe rritjes së tensioneve midis izraelitëve dhe izraelitëve dhe palestinezëve. Tani, Izraeli do të jetë gjithnjë e më hapur me Ukrainën, gjë që e bën më të vështirë rolin e saj si ndërmjetës.

Edhe pse situata ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka disa ngjashmëri me situatën në Ukrainë, ajo në të njëjtën kohë është mjaft ndryshe. Së pari, ajo sot zë një pozicion shumë më pak të rëndësishëm në diskutimin politik dhe publik global dhe ngjall më pak interes. Së dyti, Izraeli ka gjithashtu më pak lidhje të drejtpërdrejta me këtë konflikt sesa me luftën në Ukrainë. Emocioni që krijoi lufta në Ukrainë në mbarë botën është rritur në Izrael nga prania e një numri të madh të popullsisë me origjinë ruse ose ukrainase. Këto lidhje personale nuk ekzistojnë me Serbinë apo Kosovën. Nga njëra anë, do të thotë se ka më pak interes për konfliktin Serbi-Kosovë në Izrael sesa për luftën në Ukrainë, madje shumë izraelitë nuk e njohin situatën atje. Nga ana tjetër, kjo mungesë e lidhjeve personale mund të krijojë kushte të mira që Izraeli të jetë korniza neutrale e nevojshme për negociata të mira mes serbëve dhe kosovarëve.

Do ta përmblidhja duke thënë se diplomacia e Izraelit është gjithmonë e gatshme të ndihmojë në zgjidhjen e konflikteve, edhe sepse Jeruzalemi dëshiron të ndryshojë imazhin e tij nga një zonë konflikti në element paqeje. Nëse ekziston një dëshirë reale nga të dyja palët për të pasur Izraelin si ndërmjetës, shteti izraelit do të jetë gjithmonë i gatshëm të luajë një rol të tillë dhe aq më tepër nëse procesi mbështetet nga fuqi të rëndësishme ndërkombëtare. Megjithatë, edhe rasti i Ukrainës e ka treguar këtë; nuk duhet të mbivlerësohen kapacitetet e Izraelit për të luajtur një rol të tillë.

Krijimi i qendrës diplomatike të Kosovës në Jerusalem të Izraelit është përshëndetur nga SHBA-ja dhe Izraeli, ndonëse BE-ja ka pasur rezerva. Kosova është përballur edhe me kundërshtimin e kësaj lëvizjeje edhe nga bota arabe. Së fundmi, një nga ambasadorët palestinezë i ka kërkuar kryediplomates kosovar Gërvalla – Schwarz që ta zhvendosë ambasadën nga Jeruzalemi. A do të vazhdojë presioni ndaj Kosovës nga bota arabe për këtë çështje?

Çështja e Jeruzalemit, për shkak të historisë fetare të qytetit, ka qenë gjithmonë çështje me shumë simbolizma dhe, si rrjedhojë, edhe mjaft delikate. Në këtë kontekst, Kosova ka bërë lëvizje të guximshme duke e vendosur qendrën e saj diplomatike në Jerusalem, duke qenë kështu vendi i parë evropian dhe vendi i parë me shumicë myslimane që e ka bërë këtë. Reagimi me të cilin është përballur është gjë normale që ndodh në këto raste. Disa vende arabe ndjejnë nevojën për të reaguar dhe protestuar për këtë çështje dhe, natyrisht, ky është rasti edhe me ambasadorin palestinez. Nuk mendoj se kjo lloj kundërshtie do të përfundojë në një të ardhme të afërt, sepse reagimi ndaj Jeruzalemit konsiderohet si detyrë e natyrshme e diplomacisë arabe. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se ky presion nuk ka shkuar përtej deklaratave dhe protestave dhe nuk ka pasur ndonjë ndikim konkret. Pozicioni i Izraelit në Lindjen e Mesme dhe marrëdhëniet e tij me botën arabe po ndryshojnë me shpejtësi, siç tregojnë marrëveshjet e Abrahamit, dhe kjo do të thotë gjithashtu se gjithnjë e më shumë vende arabe po kanë qëndrim më pak të vrazhdë ndaj Izraelit. Në këtë kontekst, vendimi i Kosovës për Jerusalemin erdhi në një moment të duhur, kur lojtarët e rëndësishëm arabë po janë më pak të prirur të protestojnë kundër një lëvizjeje të tillë.

Duket se vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin përveç si kërkesë ‘de juro’ e dalë nga Marrëveshja e Uashingtonit dhe e arritur nga Kosova dhe Serbia, ‘de fakto’ marrëveshja kërkonte edhe vendndodhjen e ambasadave të shteteve përkatëse në Jerusalem. Si e komentoni hezitimin e Beogradit për ta bërë një gjë të tillë?

Së pari, është e qartë se Beogradi nuk e mbajti fjalën dhe nuk e respektoi marrëveshjen që kishte nënshkruar. Kjo mund të vijë nga fakti se delegacioni serb që ka nënshkruar Marrëveshjen e Uashingtonit nuk e ka kuptuar plotësisht tekstin. Reagimi i presidentit Vuçiq ndaj njoftimit në Zyrën Ovale është bërë viral dhe duket se vë në dukje se vullneti i Serbisë për të zhvendosur ambasadën e saj në Jerusalem ishte i kufizuar që në fillim. Pastaj, Beogradi u përpoq ta përdorte këtë çështje si levë për të penguar njohjen e Kosovës nga Izraeli, gjë që nuk funksionoi. Njohja nga Izraeli krijoi mini-krizë diplomatike me Serbinë, por kjo krizë nuk zgjati shumë. Më nëntor të 2021-ës, Serbia hapi zyrë tregtare në Jerusalem, gjë që sinjalizon tendencë më pozitive në marrëdhëniet mes dy vendeve. Megjithatë, nuk është e sigurt nëse kjo tendencë pozitive do të vazhdonte nëse Izraeli do të mbështeste lëvizjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare.

Në çdo rast, situata në Evropë tani po ndryshon, si shkak i riorganizimeve të përcaktuara nga lufta në Ukrainë. Pozicioni pro-rus i Beogradit po e bën atë gjithnjë e më të izoluar dhe opinioni i tij, për çështjet e Lindjes së Mesme apo për marrëdhëniet kosovaro-izraelite, mund të humbasë peshë dhe rëndësi.

Gjatë intervistave tuaja të mëparshme për mediat kosovare keni deklaruar edhe për rritjen e ndikimit turk në Ballkanin Perëndimor. A mendoni se mjafton ndikimi për të çorientuar politikat e Kosovës ndaj Izraelit?

Nuk mendoj kështu, për dy arsye. Së pari, ndikimi turk në Ballkanin Perëndimor ishte i rëndësishëm në vitin 2020 dhe qëndrimi i Ankarasë ndaj Jeruzalemit ishte shumë i sigurt atëherë. Mirëpo, kjo nuk e pengoi Kosovën që ta zhvendosë qendrën e saj diplomatike në Jerusalem. Së dyti, politika turke në Lindjen e Mesme ka ndryshuar që atëherë. Erdogan, si pjesë e një politike rajonale më pajtuese, ka bërë lëvizje pozitive drejt Izraelit. Vlen të theksohet se presidenti i Izraelit Itzhak Herzog vizitoi Ankaranë në mars. Prandaj, megjithëse marrëdhëniet turko-izraelite nuk janë ende të përkryera, Turqia ka pushuar së qeni vend virulent anti-izraelit, siç ishte në dekadën e fundit.

Për të përmbledhur gjithçka çka thamë deri më tani, marrëdhëniet kosovaro-izraelite bazohen në njëfarë guximi nga të dyja palët. Pavarësisht presioneve që vijnë nga vendet arabe, nga Turqia, nga Serbia, madje edhe disa rezerva nga BE-ja, Prishtina dhe Jeruzalemi i kanë nisur marrëdhëniet dypalëshe duke shfrytëzuar mundësinë e ndërmjetësimit të Presidentit Trump, pak para se ai të largohej nga Shtëpia e Bardhë. Që nga krijimi i këtyre marrëdhënieve, kundërshtarët e kësaj lëvizjeje kanë moderuar qëndrimin e tyre për këtë çështje, duke dëshmuar vazhdimisht se ishte gjëja e duhur, megjithëse kishte pengesa gjatë rrugës. Tani, me marrëveshjet e nënshkruara së fundmi, këto marrëdhënie hyjnë në një fazë të dytë, nga e cila mund dhe shpresojmë se do të përfitojnë të dyja vendet që kanë ende shumë për të mësuar nga dhe për njëra-tjetrën. /Lajmi.net/