Dogana parandalon kontrabandimin e armës në Aeroportin e Prishtinës

Zyrtarët e Doganës së Kosovës, gjatë kontrolleve rutinore në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, kanë parandaluar futjen e një arme ajrore, e cila ishte e padeklaruar dhe e ndaluar për import. Gjatë kontrollit të udhëtarëve, një udhëtar i cili kishte kaluar nëpër kanalin e gjelbër, që nënkupton se nuk kishte mall për të deklaruar pranë autoriteteve…

Lajme

03/09/2026 08:53

Zyrtarët e Doganës së Kosovës, gjatë kontrolleve rutinore në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, kanë parandaluar futjen e një arme ajrore, e cila ishte e padeklaruar dhe e ndaluar për import.

Gjatë kontrollit të udhëtarëve, një udhëtar i cili kishte kaluar nëpër kanalin e gjelbër, që nënkupton se nuk kishte mall për të deklaruar pranë autoriteteve doganore, është përzgjedhur për kontroll të bagazhit përmes pajisjes së skanimit.

Nga imazhi i paraqitur në skaner, zyrtari doganor ka evidentuar dyshime lidhur me përmbajtjen e bagazhit, me ç’rast është kryer kontrolli fizik. Gjatë kontrollit është gjetur një revole ajrore “FB Record”, e kalibrit .177, një (1) copë, e cila ishte e çmontuar dhe e mbështjellë me foli alumini dhe rroba, me qëllim të fshehjes së saj.

Arma është ndaluar dhe i është dorëzuar Policisë Kufitare në Aeroportin e Prishtinës për procedim të mëtejmë, ndërsa ndaj udhëtarit do të zhvillohen procedurat përkatëse administrative dhe ligjore.

Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e kufijve të Republikës së Kosovës dhe në parandalimin e futjes së mallrave të ndaluara dhe të kontrabanduara, duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet kompetente për garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe respektimin e legjislacionit në fuqi.