​Buxheti 3.6 miliardësh për 2025 shkon për shqyrtim në Kuvend

Buxheti i Kosovës për vitin 2025 shkon në Kuvend për shqyrtim pa votim në komision. Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se buxheti 3.6 miliardësh është i zhvillimit të Kosovës. Ndërkaq, gjatë prezantimit të buxhetit, deputetët nga opozita adresuan kritika ndaj qeverisë, derisa akuzuan partinë në pushtet për mos përmbushje të premtimeve. Në mbledhjen e…

Lajme

06/11/2024 15:20

Buxheti i Kosovës për vitin 2025 shkon në Kuvend për shqyrtim pa votim në komision. Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se buxheti 3.6 miliardësh është i zhvillimit të Kosovës.

Ndërkaq, gjatë prezantimit të buxhetit, deputetët nga opozita adresuan kritika ndaj qeverisë, derisa akuzuan partinë në pushtet për mos përmbushje të premtimeve.

Në mbledhjen e Komisionit për buxhet, deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti prezantoi disa nga planet e qeverisë të cilat nuk janë realizuar.

“E konsideroj si buxhet tranzitor deri në qeverinë e ardhshme… Masat kyçe 2021-2025, 20 masa, 7 prej tyre kanë nisur të realizohen, 13 prej tyre s’kanë filluar, këto shtatë vetëm kanë nisur të realizohen, jo që janë realizuar. Po përmendi disa që s’kanë filluar, Fondi Sovran, Banka Zhvillimore, ose Vettingu, Fondi për Sigurime Shëndetësore. Vlerësimi im është që keni abuzuar me drejtat e juaja ligjore në menaxhimin e parasë publike dhe të buxhetit të shtetit. Për dy vjet radhazi është vonuar alokimi i fondeve nëpër komuna, mosrealizimi me kohë i plotë projekteve nëpër komuna është edhe për fajin e juaj. Mos realizimi i investimeve kapitale, nuk është pak. Planifikimin e investimeve kapitale gjatë mandatit tuaj, që është në total investime kapitale të planifikuara në mandatin e juaj janë 3 miliardë e 59 milionë. Realizimin e keni 1 miliard e 232 milionë që është rreth 40 për qind. 1.8 miliardë janë investime kapitale të planifikuara që nuk janë realizuar, në asnjë qeveri nuk janë realizuar plotësisht planifikimi, por jo kaq ulët… Sot ekonomisë së Kosovës i mungojnë 1.8 miliardë për shkak të mos punës së juaj dhe kolegeve të juaja”, ka thënë Hoti.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka përkujtuar se asnjë projekt i madh nuk kryhet brenda një mandati qeverisës, teksa për ngecjen në projekte ka fajësuar kontraktuesit.

“Qeveria nuk mund të paguajë për punë që nuk kryen, ka projekte të cilat nuk ecin punët, për shkak të kontraktuesve kryesisht, dhe nuk mund t’i themi, ja paratë, ani pse s’e ke kryer punën, momentin që kryhet puna e ne nuk paguajmë, atëherë mund të bëhet temë”, tha Murati.

Ai para anëtarëve të komisionit prezantoi në detaje buxhetin, derisa tha inflacioni pritet të bie në Kosovë, që sipas tij kjo do të mundësojë rritjen ekonomike. Murati tha se në buxhet janë të parapara rritja e pensioneve, rritja e shtesave për fëmijë, rritja e njësive të koeficientit në sektorin publik.