Nesër pritet të nisë gjykimi ndaj Dukagjin Lekajt që u arrestua më 2025 në Spanjë
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar për 6 nëntor 2026 seancën fillestare ndaj Dukagjin Lekajt (Dukagjin Nikollaj) i akuzuar për “Vrasje të rëndë në tentativë”. Pra, rasti ka të bëjë me incidentin e 4 gushtit 2023 në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, ku mbeti i vrarë një person. Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda…
Lajme
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar për 6 nëntor 2026 seancën fillestare ndaj Dukagjin Lekajt (Dukagjin Nikollaj) i akuzuar për “Vrasje të rëndë në tentativë”. Pra, rasti ka të bëjë me incidentin e 4 gushtit 2023 në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, ku mbeti i vrarë një person.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se lënda është tek gjyqtari Adnan Kamberi.
Kujtojmë se “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar në prill të vitit 2025 se i pandehuri ishte arrestuar në Spanjë si i dyshuar për përfshirje në vrasjen në lokalin Bon Vivant.
Ai ishte i kërkuar edhe nga FBI-ja për trafikim narkotikësh dhe për pesë vjet dyshohet se ka qenë i përfshirë në trafikimin e sasive të mëdha të marihuanës nga Kanadaja në New York.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 21 qershor 2024 kishte ngritur aktakuzë ndaj Andi Pajazitit lidhur me vrasjen e 4 gushtit 2023 në lokalin “Bon Vivant”. Pajaziti ngarkohej për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” pasi që sipas Prokurorisë nga tronditja që kishte marrë prej tani të ndjerit K.R., i akuzuari pa fajin e tij dhe pa menduar për pasojat e kishte nxjerrë armën dhe kishte shtënë në drejtim të K.R.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, më 4 gusht 2023, rreth orës 23:17 në lokalin “Bon Vivant” në Prshtinë, në të cilin paraprakisht ishte i pandehuri Dukagjin Lekaj i cili gjendet në arrati, së bashku me tani të ndjerin K.R., shkon i akuzuari Pajaziti, të cilin e fton Lekaj që të ulet në tavolinën ku ishte tani i ndjeri.
Aktakuza thotë se pasi që ulet Pajaziti dhe fillojnë të bisedojnë me Lekajn, pas pak fillon të tensionohet situata dhe duke parë që situata po tensionohet, afrohet sigurimi i lokalit Hisni Gecaj, i cili ia kapë dorën e djathë të pandehurit Lekaj dhe mundohet ta qetësojë situatën, por në këtë moment tani i ndjeri K.R., i cili ishte mbrapa sigurimit, e godet me një shishe në kokë dy herë tani të akuzuarin Pajaziti.
Sipas aktakuzës, sigurimi Gecaj vazhdimisht ia mban dorën Lekajt, kurse Pajaziti pas goditjes nga tani i ndjeri e nxjerr armën nga brezi dhe pa i menduar pasojat godet në drejtim të tani të ndjerit K.R.
Po ashtu, aktakuza thotë se armën e nxjerr nga çanta edhe i pandehuri Lekaj, gjatë kësaj kohe sigurimi ia mbante dorën duke u munduar t’ia largojë por nuk ka arritur, e Lekaj e kishte armën e drejtuar në drejtim të Pajazitit dhe shtie ndaj tij, duke i shkaktuar të akuzuarit Pajaziti lëndime të rënda në dorën e majtë.
Kurse, thuhet se vdekja e K.R., ka ardhur si pasojë e gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme, e cila ka çuar në shok hemorragjik, këto të shkaktuara nga arma e zjarrit.
Prandaj, për këto veprime Pajaziti ngarkohej me veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” sipas nenit 174 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Po ashtu, Pajaziti për shkak se në vendin e njëjtë kishte mbajtur në pronësi armën e tipit “Smith” në kundërshtim me ligjin, ngarkohej edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së.
Për këtë vrasje, Andi Pajaziti ishte liruar nga akuza derisa ishte shpallur fajtor për armëmbajtje pa leje, duke i marrë dy vite burgim. Vendimin e Themelores e vërtetoi edhe Apeli.
Në këtë rast i ndaluar ishte edhe N.Ll., i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprave penale”, të cilit më pas iu caktua masa e paraburgimit. Kurse, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, si të dyshuar për përfshirje në këtë rast, më 29 gusht 2023 ishin liruar nga masa e paraburgimit. I dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast është Dukagjin Nikollaj, i cili u arrestua në Spanjë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e kishte bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.