Arrestohet mjeku në Leposaviq, dyshohet se nuk raportoi vdekjen e dyshimtë të një gruaje

Një mjek është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit në Leposaviq, nën dyshimin për veprën penale “Moslajmërim i veprës penale”, pas një rasti të vdekjes së dyshimtë. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më 9 shtator rreth orës 10:50, Policia ka pranuar informacion për një rast të dyshimtë në rrugën “Dositej Obradoviq” në Leposaviq, shkruan…

Lajme

10/09/2026 10:05

Një mjek është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit në Leposaviq, nën dyshimin për veprën penale “Moslajmërim i veprës penale”, pas një rasti të vdekjes së dyshimtë.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më 9 shtator rreth orës 10:50, Policia ka pranuar informacion për një rast të dyshimtë në rrugën “Dositej Obradoviq” në Leposaviq, shkruan lajmi.net.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku familjarët kanë deklaruar se viktimën, një grua e lindur në vitin 1997, e kishin gjetur pa shenja jete rreth orës 07:00.

Në vendin e ngjarjes kishte dalë edhe mjeku kujdestar, i cili kishte konstatuar vdekjen, mirëpo Policia thotë se nuk ishte njoftuar për rastin nga stafi mjekësor.

Gjatë hetimeve, Policia ka intervistuar mjekun kujdestar të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Leposaviq, lidhur me rrethanat e rastit dhe detyrimin për njoftimin e Policisë.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me urdhër të prokurorit të shtetit, është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, me qëllim të përcaktimit të shkakut dhe rrethanave të vdekjes.

Rasti mbetet nën hetime. /Lajmi.net/