19 nëntori afati i fundit për Kryeministër – partitë opozitare nuk i besojnë “Qeverisë Konjufca 1”
Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka thirrur seancën e re ku mandatari për kryeministër do të prezantojë kabinetin qeveritar dhe do të kërkojë votimin për të. 19 nëntori është data e fundit që mandatari i dytë për kryeministër, Glauk Konjufca, duhet të paraqesë kabinetin e tij qeveritar para Kuvendit të Kosovës, raporton lajmi.net. Megjithëse…
Lajme
Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka thirrur seancën e re ku mandatari për kryeministër do të prezantojë kabinetin qeveritar dhe do të kërkojë votimin për të.
19 nëntori është data e fundit që mandatari i dytë për kryeministër, Glauk Konjufca, duhet të paraqesë kabinetin e tij qeveritar para Kuvendit të Kosovës, raporton lajmi.net.
Megjithëse kanë mbetur edhe pak ditë nga afati ligjor, Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka thirrur seancën e jashtëzakonshme për formimin e qeverisë së re.
Deri më tani duket se as Vetëvendosje dhe as partitë e tjera nuk besojnë se mund të formohet një qeveri “Konjufca 1”.
Në një prononcim për lajmi.net, deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, tha se nuk kanë votë për Konjufcën dhe se nuk besojnë se Qeveria do të formohet.
Edhe në LDK qëndrimet mbeten të njëjta. Deputetja Doarsa Kica-Xhelili i tha lajmi.net se qëndrimi i partisë nuk ka ndryshuar dhe se nuk ka përkrahje për Vetëvendosjen dhe Glauk Konjufcën në formimin e qeverisë.
“Vlerësoj se tashmë jemi përgjigjur disa herë lidhur me qëndrimet tona. Nuk ka ndryshuar asgjë,” deklaroi Kica-Xhelili.
Ndërkohë, mbrëmë dhe për disa herë radhazi në deklarime publike kryetari tanimë i dorëhequr i PDK-së, Memli Krasniqi, shprehu qëndrim të njëjtë me dy partitë e tjera opozitare.
Ai tha se askush nuk beson se në këtë mandat mund të formohet një qeveri e re.
“Data e vetme të mundshme, nëse këtë vazhdojnë me e ngre zhag afatin, sepse edhe kur ja ka dhënë presidentja, që unë mendoj që nuk është dashur me ia dhanë. Ka pasur dëshmi të mjaftueshme që agonia institucionale zgjatet se ata nuk munden me e bo qeverinë, sepse të gjithë ne ishim deklaruar zyrtarisht, si parti shqiptare po edhe disa prej komuniteteve, që nuk e votojmë,” ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, kjo çështje nuk është dashur të zgjatet më tej.
“Është dashur me na çu në zgjedhje menjëherë dhe tash kishim pas datën 7 dhe kish vazhdu procesi pa vonesa. Tash, nëse e ngrehin deri ditën e fundit afatin, më 19, zgjedhjet mund të jenë më 21 ose më 28,” ka shtuar Krasniqi.
Pas dorëheqjes së kryeministrit Albin Kurti dhe rrëzimit të Qeverisë së tij në Kuvend, procesi për formimin e një qeverie të re ka kaluar në fazën e dytë kushtetuese.
Më 4 nëntor, presidentja Vjosa Osmani e ka dekretuar deputetin Glauk Konjufca si mandatar të dytë për kryeministër, duke i dhënë mundësinë Lëvizjes Vetëvendosje të tentojë formimin e një kabineti të ri qeveritar.
Ky vendim erdhi pavarësisht kërkesave të shumicës së partive opozitare, të cilat në takimet paraprake me presidenten kishin kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të reja, me arsyetimin se nuk ekziston shumicë parlamentare që do ta mbështeste një qeveri të re./Lajmi.net/