18 vite pavarësi: Abdixhiku nderon sakrificën dhe vizionin e themeluesve
Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, në nder të 18-vjetorit të Pavarësisë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kujtoi rrugën të gjatë dhe të lavdishme që çoi vendin drejt lirisë dhe sovranitetit. Abdixhiku theksoi se themeli i kësaj rruge ishte filozofia politike e atit themeltar të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova,…
Lajme
Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, në nder të 18-vjetorit të Pavarësisë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kujtoi rrugën të gjatë dhe të lavdishme që çoi vendin drejt lirisë dhe sovranitetit.
Abdixhiku theksoi se themeli i kësaj rruge ishte filozofia politike e atit themeltar të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, dhe gjithë lëvizjes paqësore të viteve ’90. Ai theksoi se Rugova, me vizionin dhe drejtimin e tij epokal, i dha Kosovës një orientim historik dhe e bëri çështjen e saj një çështje ndërkombëtare.
“Lëvizja paqësore nuk ishte një zgjidhje e lehtë,” tha Abdixhiku. “Ajo ishte refuzim i urrejtjes dhe hakmarrjes si mjete politike, dhe një dëshmi e qartë e maturisë dhe mençurisë së popullit tonë në një periudhë të vështirë historike”.
Ai kujtoi edhe rolin vendimtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ngjarjet e Prekazit, duke theksuar se ato përjetime tragjike e zgjuan ndërgjegjen kombëtare dhe treguan se padrejtësia kishte arritur kufirin e saj të fundit. “Prekazi dhe sakrifica e shumë heronjve na kujton se liria nuk është dhuratë, por rezultat i guximit dhe vendosmërisë së popullit”, shtoi ai.
Kryetari i LDK-së theksoi se sot ka “shumë arsye për të qenë krenarë” për arritjet e Kosovës dhe për mënyrën se si vendi ka ecur nga ëndrra shekullore drejt realitetit shtetëror. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të kujtojnë dhe respektojnë të gjitha sakrificat, të vazhdojnë trashëgiminë Rugoviane të paqes dhe dialogut, dhe të forcojnë institucionet e vendit si bazë e një të ardhmeje të qëndrueshme.
“Pavarësia e Kosovës është rezultat i një rrugëtimi të gjatë, i ndërthurur me guxim, rezistencë dhe vizion. Ajo nuk është vetëm datë kalendarike, por simbol i vendosmërisë së një populli që refuzoi të dorëzohej para padrejtësisë dhe që zgjodhi lirinë mbi çdo gjë tjetër”, përfundoi Abdixhiku.
Ky fjalimi Abdixhikut, rikthen në kujtesë një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë së Kosovës dhe thekson rëndësinë e kujtimit të themeluesve, dëshmorëve dhe të gjithë qytetarëve që kontribuuan në krijimin e shtetit të pavarur. /Lajmi.net/