1600 njerëz filmohen fshehurazi në hotele, pamjet transmetohen në internet

Rreth 1,600 njerëz janë filmuar fshehurazi në dhomat e hoteleve në Korenë e Jugut dhe pamjet janë transmetuar drejtpërdrejt në një faqe interneti, tha policia të mërkurën.

Bota

20/03/2019 19:50

Dy burra janë arrestuar dhe një tjetër palë është hetuar në lidhje me skandalin, i cili përfshinte 42 dhoma në 10 qytete anembanë vendit. Policia tha se nuk kishte tregues se bizneset ishin pjesëmarrës në skemë.

Në Korenë e Jugut, hotelet e vogla që janë përfshirë në këtë rast përgjithësisht quhen motele ose bujtina.

Kamerat ishin të fshehura në televizion, në mur dhe në tharëset e flokëve, ndërsa filmimet u transmetuan në internet, tha në një deklaratë Departamenti i Hetimeve për Kibernetikë.

Faqja kishte më shumë se 4000 anëtarë, 97 prej të cilëve kanë paguar një tarifë mujore prej 44 dollarë dhe këta kishin mundësi që t’i zëvendësojnë pamjet direkte, njofton Klan Kosova.

Midis nëntorit të vitit 2018 dhe këtij muaji kjo faqe solli të ardhura prej 6,000 dollarësh, tha policia,

“Ka pasur një rast të ngjashëm në të kaluarën ku kamerat e paligjshme ishin instaluar fshehurazi dhe ishin të shikuara vazhdimisht dhe fshehurazi, por kjo është hera e parë që policia gjeti aty ku u transmetuan videot në internet”, tha policia.

Koreja e Jugut ka një problem serioz me kamerat e spiunazhit dhe xhirimet e paligjshme. Në 2017, më shumë se 6,400 raste të filmimeve ilegale u raportuan në polici në krahasim me rreth 2,400 në vitin 2012.

Vitin e kaluar, dhjetëra mijëra gra dolën në rrugët e Seulit dhe qyteteve të tjera për të protestuar kundër praktikës dhe për të kërkuar veprim, nën sloganin “Jeta ime nuk është pornografia juaj”.