16-vjeçari në Gjermani dyshohet se ka prodhuar armë biologjike vdekjeprurëse
Policia në Gjermani kontrolloi sot shtëpinë e një adoleshenti të dyshuar për prodhimin dhe ruajtjen e ricinës, një substancë biologjike jashtëzakonisht toksike dhe vdekjeprurëse e përdorur si agjent lufte. Sipas policisë, 16-vjeçari dyshohet se prodhonte disa shishe me një përzierje ricine dhe akonitine, një tjetër helm i fuqishëm bimor, në një laborator të improvizuar në…

Lajme
Policia në Gjermani kontrolloi sot shtëpinë e një adoleshenti të dyshuar për prodhimin dhe ruajtjen e ricinës, një substancë biologjike jashtëzakonisht toksike dhe vdekjeprurëse e përdorur si agjent lufte.
Sipas policisë, 16-vjeçari dyshohet se prodhonte disa shishe me një përzierje ricine dhe akonitine, një tjetër helm i fuqishëm bimor, në një laborator të improvizuar në një shtëpi familjare në Zeithain, në Saksoni, shkruan CNN.
Zyra e Hetimit Kriminal të Saksonisë ka nisur një hetim në bashkëpunim me prokurorinë në Drezden për shkak të shkeljes së mundshme të Ligjit gjerman për Armët e Luftës, i cili rregullon prodhimin dhe qarkullimin e substancave që konsiderohen armë lufte.
Policia ka filluar sot në mëngjes bastisjen e shtëpisë së të dyshuarit me qëllim “sigurimin e të gjitha substancave helmuese dhe prova të tjera”. Hetuesit deri më tani nuk kanë gjetur asnjë provë për qëllimet e të dyshuarit në lidhje me ato helme, njoftoi policia.
Nuk është lëshuar asnjë urdhër arresti. Sipas njohurive të deritanishme të hetimeve, nuk ka bazë ligjore për ndalimin e të dyshuarit në përputhje me Kodin e Procedurës Penale Gjermane, po ashtu është marrë parasysh edhe ligji për të miturit, thuhet në komunikatë.
Ricina është një përbërës natyral, jashtëzakonisht toksik që krijohet si nënprodukt gjatë përpunimit të farave të kastorit. Është potencialisht fatale nëse thithet, gëlltitet ose injektohet.
Një sasi jashtëzakonisht e vogël mund të vrasë një person brenda 36 deri në 48 orëve për shkak të dështimit të sistemit të frymëmarrjes dhe qarkullimit të gjakut.
Nëse merret nga goja, shkakton marramendje, të vjella dhe gjakderdhje në stomak dhe zorrë, pasuar nga dështimi i mëlçisë, shpretkës dhe veshkave dhe më pas vdekje. Nëse ricin injektohet, ajo shkatërron menjëherë muskujt dhe nyjat limfatike pranë vendit të injektimit. Pason dështimi i organeve vitale dhe vdekja.