15 filmat e Leonardo DiCaprios që duhet t’i shikoni (Video)
Ndoshta të gjithë e keni parë filmin 'Titanic' dhe jeni mahnitur me aktorin, por Leo ka shumë filma tjerë që kanë vlerë të lartë artistike dhe aktrim që arrin edhe perfeksion.
ShowBiz
Ai është ndër aktorët më të mirë të gjeneratës së tij dhe këtë epitet Leonardo DiCaprio po e përforcon me secilin projekt filmik të ri që po bën.
Që nga mosha shumë e re talenti i tij është spikatur nga regjisorët më të njohur, ndër ta edhe Martin Scorsese me të cilin është bërë bashkëpunëtor i pandarë, transmeton Lajmi.net.
Leo ka mahnitur që në rolin e parë të tij, në filmin ‘What’s Eating Gilbert Grape’ kur ka luajtur pranë Johnny Depp si vëllai i tij me të meta mendore dhe ka shkëlqyer duke marrë edhe nominimin e parë për Oscar ndërsa që nga ajo kohë është nominuar katër herë nga akademia si aktori më i mirë.
Këta janë filmat e Leonardo DiCaprios që patjetër duhet t’i shikoni:
15. Romeo + Juliet (1996)
Nga adaptimet e panumërta të kryeveprës së Shakespeare ‘Romeo dhe Zhulieta’, versioni modern i Baz Luhrman me DiCaprion në rolin e Romeos është më së miri i vlerësuar. Claire Danes dhe DiCaprio luajnë për mrekulli rolet kryesore në historinë e çiftit që përfundon në mënyrë tragjike dhe tërheqja që krijohet mes tyre bën që filmi të meritojë kohën e shikuesit. Edhe adaptimi tjetër nga Luhrmann, ‘The Great Gatsby’ ka qenë një sukses i radhës i dyshes.
14. Marvin’s Room (1996)
DiCaprio luan djalin i cili është në një institucion për të sëmurët mendor pasi ka djegur shtëpinë ndërsa ai luan përkrahë aktorëve si Robert De Niro, Mery Streep e Diane Keaton.
13. This Boy’s Life (1993)
Roli i Tobias në këtë film ka shtyrë DiCaprion në rrugën e padiskutueshme të suksesit. Është bashkëpunimi i parë me aktorin legjendar Robert De Niro, i cili luan babin abuziv të Tobias. Është histori e vërtetë e një djali rebel që është munduar të shpëtojë nga jeta abuzive në të cilën jetonte.
12. Titanic (1997)
Në vitin 1997 James Cameron ka shkruar dhe drejtuar filmin më të shtrenjtë të bërë ndonjëherë. Gjithashtu, ky është filmi që e ka bërë aktorin Leonardo DiCaprio në një sensacion, një super yll të Hollywood-it. Aktrimi i tij në rolin e Jack Dawson dhe e gjithë paraqitja bashkë me aktoren Kate Winslet ka marrë zemrën e shumë shikuesve, duke u bërë filmi më i shikuar ndonjëherë dhe i shpërblyer me 11 çmime Oscar.
11. Gangs of New York (2002)
Ky film dramë dhe histori është njëri nga shumë bashkëpunimeve super të suksesshme të Leos me regjisorin Martin Scorsese. Gjithashtu është një nga filmat më të vlerësuar të Scorseses dhe aktrimi i DiCaprios veç ka konfirmuar vendin e tij si super aktor.
10. Shutter Island (2010)
Ky është filmi tjetër në të cilin kanë bashkëpunuar dyshja Scorsese –DiCaprio e që është pritur shumë mirë si nga shikuesit ashtu edhe kritikët e filmit. Leo edhe një herë bën një rol fantastik në një film të fuqishëm që ju dërgon në një eksperiencë dehëse.
9. Blood Diamond (2006)
Aktrimi i DiCaprios e kthen këtë histori paksa të mërzitshme të luftës civile në Sierra Leone në një art të vërtetë filmik. Po të mos ishte aktrimi i Leos, filmi as që do ishte i njohur në publik, por ai është heroi i vërtetë në këtë film. Ai është nominuar për Oscar e megjithëse e ka merituar, nuk e ka marrë çmimin.
8. Revolutionary Road (2008)
Filmi ka bërë përsëri bashkë dyshen nga ‘Titanic’ në një projekt që ka rezultuar të jetë shumë i suksesshëm. Kate Winslet dhe Leonardo DiCaprio, tani miq shumë të mirë, aktrojnë në dramën për një çift të ri të cilët po tentojnë të rregullojnë problemet e tyre martesore. Aktrimi në këtë film është në mënyrën më të pastër të mundshme.
7. The Aviator (2004)
Edhe një bashkëpunim shumë i suksesshëm i regjisorit Martin Scorsese me DiCaprion. ‘The Aviator’ është një dramë biografike e gjeniut Howars Hughes, luajtur nga gjeniu tjetër, Leo DiCaprio. I fokusuar në jetën e hershme të filmbërësit dhe pilotit Hughes, filmi është një triumf i vërtetë. Për këtë rol ai ka marrë nominimin e dytë për çmimin Oscar ndërsa vetë filmi ka fituar 5 çmime.
6. Inception (2010)
Filmi nga Christopher Nolan është ndoshta ndër filmat më të pëlqyer, më mirë të rankuar e me kritikat më të mira në këtë listë. Në këtë rast, më shumë se aktrimi i DiCaprios, ka spikatur realizimi në tërësi i filmit, ideja e ‘ëndrrës në ëndërr’ dhe misteri i përfundimit, me aktorët si Tom Hardy, Ellen Page, Marion Cotillard e Joseph Gordon-Levitt që kanë shkëlqyer secili në rolin e tyre.
5. Django Unchained (2012)
Në këtë film të Tarantinos shohim Leon në rol dytësor, por një rol i realizuar për mrekulli ku ai shihet plotësisht në karakterin negativ të Calvin Candie. DiCaprio është argëtues, i pacipë, kryelartë, shpërthyes dhe i frikshëm dhe ka bërë një aktrim të një niveli që ndoshta askush do t’ia kishte dalë ta bënte.
4. Catch me if you can (2002)
Filmi tregon historinë e vërtetë të Frank Abagnale Jr., djaloshi i ri i cili me mashtrime ka arritur të bëjë miliona dollarë. Është drejtuar për mrekulli nga Steven Spielberg ndërsa ajo që të kënaqë syrin është afërsia e dy personazheve kryesorë, të luajtur nga DiCaprio dhe Tom Hanks. Është një film që të argëton edhe nëse e shikon për më shumë se një herë.
3. The Wolf of Wall Street (2013)
Bashkëpunimi i fundit i dyshes ka dalë të jetë një tjetër kryevepër në të cilën ia vlenë t’i humbisni tri orë për ta shikuar. Vërtetë për një film tri orë janë shumë, por ky nuk është thjesht një film, është një përjetim në kinematografi të bukur, realizim shumë të mirë dhe aktrim perfekt nga DiCaprio i cili ka bërë gjithçka dhe meriton gjithë lëvdatat për suksesin e filmit. Ai me rolin e Jordan Belfort është nominuar për herë të katërt për çmim Oscar.
2. The Departed (2006)
Padyshim një nga kryeveprat absolute të Martin Scorsese dhe filmi më i mirë i dyshes. ‘The Departed’, me një kast aktorësh më në zë, me regji e skenar fantastik. Edhe DiCaprion e shohim në një nga rolet më normale ndonjëherë, por që sigurisht, e bën aktrimin deri në perfeksion dhe ky film ka ërë që ai të afirmohet si një nga aktorët më të gjithanshëm në Hollywood.
1. What’s eating Gilbert Grape (1993)
Nuk është filmi më i mirë në të cilin luan DiCaprio, por është roli më mahnitës që ka luajtur ndonjëherë. Ky film vlen të shikohet vetëm për këtë gjë, për aktrimin perfekt të tij si një djalë me autizëm. Është filmi më i lezetshëm në këtë listë e ndoshta edhe në gjithë kinematografinë e Leos, e ky rol i ka sjellë nominimin e parë për çmimin Oscar. Johnny Depp është në rolin kryesor, por ky film i takon DiCaprios padyshim. Është një film që as fansat e tij nuk bën pa e parë e as fansat e filmit në përgjithësi nuk bën ta humbasin një interpretim fantastik të një roli.