Intervistimi i Pecit dhe aksioni i PSRK-së tek Ministria e Bujqësisë – Gjithçka që dihet deri më tani në lidhje me fabrikën për mbetje shtazore
Zyrtarë të shumtë policorë bashkë me Prokurorinë Speciale, kanë zbarkuar në objektin e Ministrisë së Bujqësisë, sot në mëngjes, Ministri kjo që udhëhiqet nga ministri tashmë në detyrë, Faton Peci. Ky aksion i autorizuar nga Prokuroria Speciale, u realizua në lidhje me raportimet për skandalin për dhënien e tenderit për ndërtimin e fabrikës për mbetje…

Lajme
Zyrtarë të shumtë policorë bashkë me Prokurorinë Speciale, kanë zbarkuar në objektin e Ministrisë së Bujqësisë, sot në mëngjes, Ministri kjo që udhëhiqet nga ministri tashmë në detyrë, Faton Peci.
Ky aksion i autorizuar nga Prokuroria Speciale, u realizua në lidhje me raportimet për skandalin për dhënien e tenderit për ndërtimin e fabrikës për mbetje shtazore.
Në lidhje me këtë aksion, pak minuta pasi filloi, detaje për lajmi.net dha zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Nora Luta, e cila tha se bastisjet po zhvillohen në katër lokacione, dhe lidhen pikërisht me raportimet për fabrikën për përpunimin e mbetjeve shtazore.
“Ju njoftojmë se Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është duke zhvilluar bastisje në katër lokacione. Bastisjet po zhvillohen mbi dyshimet per Fabrikën për përpunimin e mbetjeve shtazore. Për detaje të tjera, publiku do të njoftohet gjatë ditës”, deklaroi Luta.
Detaje shtesë dha edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani derisa tha se dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, bazuar në urdhëresën e Gjykatës kompetente ka filluar zbatimin e një urdhërkontrolli në Prishtinë, mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare”, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani për lajmi.net.
Ai shtoi se pas përfundimit të operacionit policor, i cili po realizohet në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, mund të bëhen publike informacione shtesë.
Në lidhje me aksionin, sot në mëngjes u deklaruan edhe nga Ministria e Bujqësisë, institucioni ku po kryhej aksioni i Prokurorisë Speciale.
Nga kjo ministri, është thënë se “që nga dita e parë janë në dispozicion të organeve të rendit dhe drejtësisë” dhe se po bashkëpunojnë me këto institucione.
“Që nga dita e parë, jemi në dispozicion të organeve të rendit dhe drejtësisë, duke ofruar çdo informatë për secilin interesim të tyrin, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit. Kemi bashkëpunuar ngushtë me këto institucione dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, të udhëhequr nga parimet e transparencës dhe llogaridhënies” – thuhet në komunikatën lëshuar nga Ministria që po e udhëheq Faton Peci.
Se ku po realizohej ky aksion përveç Ministrisë së Bujqësisë, detaje ka dhënë edhe Prokurori i Prokurorisë Speciale, Admir Shala.
“Lokacionet ku po zhvillohen bastisjet janë: Agjencia e Zhvillimit të Veterinarisë, ministria e Bujqësisë, Agjencia e Zhvillimit të Bujqësisë dhe lokacioni i kompanisë fituese”, tha Shala para mediave.
Aksioni i Prokurorisë Speciale në këto katër objekte përfundoi tek pas katër orësh e nga ku u mblodhën një sërë dokumentesh të cilat do t’i hetoj Prokuroria Speciale.
Por, ky aksion nuk përfundoi me kaq.
Nga Prokuroria Speciale u intervistua sot edhe vetë ministri në detyrë i Ministrisë së Bujqësisë, Faton Peci.
Për intervistimin e tij i cili zgjati disa orë, për lajmi.net detaje dha zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Nora Luta e cila tregoi se Peci po intervistohej si i dyshuar.
“Po vazhdon ende intervistimi. I njëjti është duke u intervistuar në cilësinë e të pandehurit”, ka thënë Luta për lajmi.net.
Përveç Pecit, si i dyshuar është intervistuar edhe kryeshefi i AUV-it, Bekim Hoxha.
Këtë para mediave e ka konfirmuar avokati i tij, Artan Qerkini.
Intervistimi i Pecit dhe Hoxhës kanë përfunduar ndërkaq asnjëri prej tyre ende nuk janë deklaruar në lidhje me rastin.
Për aksionin e Prokurorisë në Ministri të Bujqësisë dhe intervistimin e dy të lartpërmendurve, kanë reaguar edhe persona të tjerë nga politika.
Bashkëpartiakja e Pecit, Donika Gërvalla ka sulmuar Prokurorinë duke e ngritur lartë punën e Pecit.
“Inskenim i gërditshëm ky aksioni i sotëm i Blerim Isufajt kundër ministrit Faton Peci, ministrit më shembullor të këtij mandati.”, ka shkruar Gërvalla ndër të tjera në postimin e saj.
Ajo ka shkruar se kjo është “hakmarrje ndaj betejës së Fatonit kundër korrupsionit dhe guximit të tij për t’u ballafaquar me secilën shkelje të ligjit”, shkruan lajmi.net.
Në mbrojtje të Faton Pecit, ka dal edhe kolegia e tij nga Ministria e Drejtësisë, udhëheqësja e saj, Albulena Haxhiu.
Ajo këtë e ka lidhur me “një plan” për ta dëmtuar ministrin Peci dhe Qeverinë Kurti.
“Jam shumë e bindur që ministri Peci e ka bërë një punë të jashtëzakonshme sa ka qenë dhe sa vazhdon të jetë në Ministri të Bujqësisë. Nuk ka asgjë për të fshehur këtu. Nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga ai. Ai është shumë i hapur që të bashkëpunojë me institucionet për të zbardhur gjithë këtë plan për të dëmtuar ministrin Peci dhe qeverinë Kurti. Nuk ka asgjë për të fshehur, dhe do të jetë i gatshëm kurdo që ftohet nga institucionet përgjegjëse”, deklaroi Haxhiu.
Në lidhje me këtë ka reaguar deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra e cila ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për politizim të drejtësisë.
“Në vend që të lejojnë drejtësinë të bëjë punën e saj, krerët e Vetëvendosjes po e politizojnë çdo hetim që prek njerëzit e tyre. Albulena Haxhiu e paska cilësuar bastisjen në Ministrinë e Bujqësisë si ‘plan për të dëmtuar Kurtin’,” ka shkruar Deliu në një postim në Facebook.
Ajo përmendi se e njëjta qasje ishte përdorur nga kryeministri i dorëhequr Albin Kurti edhe në rastin e Nagip Krasniqit, të cilin ai e kishte mbrojtur publikisht pavarësisht aktakuzës.
“E njëjta qasje u përdor nga Kurti edhe në rastin e Nagip Krasniqit, për të cilin doli në mbrojtje pavarësisht aktakuzave. Kur mbrohej Martin Berishaj, përmendej madje edhe “fushatë e egër me ndikim serb”. Kjo qasje nuk ka të bëjë me drejtësi, ka të bëjë me mbrojtje politike dhe frikë nga përgjegjësia”, shkroi tutje Deliu.
E kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se paret e vjedhura nga ata që e shohin veten mbi shtet, ligj e vend, do të kthehen cent më cent, duke thumbuar Pecin, shkruan lajmi.net
Ai ka thënë se edhe në Kosovë do të dalin një ditë disa prokurorë që do të kenë guxim e integritet ta trajtojnë secilin akt korruptiv, e sidomos atë të pushtetarëve.
“Atë ditë do të mburremi të gjithë – me shtetin tonë, me arritjet tona; me integritetin e njerëzve që i shërbejnë popullit të tyre pa frikë. Atë ditë, piskamat e politikanëve që mbrojnë hajninë vetëm pse hajni është i tyre – atë që u bërtet me fakte mu para syve – atë ditë, këto piskama nuk do të kenë më asnjë vlerë. Le të shpresojmë e besojmë, se pas aq shumë vitesh pritjeje, një guxim i tillë tashmë ka lindur. Dhe me të, ka lindur dhe një epokë e re e popullit tonë. Në këtë epokë, një e vërtetë e pashmangshme do të qëndrojë gjithëherë – se paret e vjedhura nga ata që e shohin veten mbi shtet, ligj e vend, do të kthehen cent më cent. Nga të gjithë!”, ka shkruar Abdixhiku.
Në lidhje me tenderin për ndërtimin e fabrikës për mbetje shtazore, dje PDK ka mbajtur një konferencë për media.
“Ministria e Bujqësisë, nën drejtimin e ministrit Faton Peci, dhe me aprovimin e Kryeministrit Albin Kurti, ka finalizuar një ndër marrëveshjet më të dëmshme dhe skandaloze për interesin publik, dhënien me qira të një impianti publik me vlerë mbi 10 milionë euro për vetëm 30 mijë euro në vit, për një periudhë 20 vjeçare, ndërkohë që kompania përfituese përfiton subvencione mbi 3.2 milionë euro në vit”, tha dje para mediave zyrtari i PDK-së, Naim Ismajli.
Për më tepër, sipas Ismajlit, kompania përfituese është regjistruar vetëm 5 ditë pas shpalljes dhe nuk përmbushë asnjë nga kriteret ligjore për përvojën teknike dhe financiare të kërkuar në dokumentin e njoftimit, si dhe pronari i saj është i lidhur me tri kompani të tjera pa ndonjë përvojë në fushën e përpunimit të nënprodukteve shtazore.
Lajmi.net do të iu mbaj të informuar me çdo vendim që Prokuroria Speciale do të marr në lidhje me këtë rast. /Lajmi.net/