Nga ngërqi në ngërq – Zgjedhja e kryeparlamentarit nuk e konstituoi Kuvendin, procesi “bllokoi” tek nënkryetari serb
Sot, në Kuvendin e Kosovës pas 4 muajve është bërë një hap pozitiv në aspektin e konstituimit të Kuvendit, duke zgjedhur kryetarin e Kuvendit të Kosovës. Në ulësen e drejtuesit të seancave, është zgjedhur të ulet deputeti i VV-së, Dimal Basha i cili përveç votave të partisë së tij dhe partive me të cilat kanë…

Lajme
Sot, në Kuvendin e Kosovës pas 4 muajve është bërë një hap pozitiv në aspektin e konstituimit të Kuvendit, duke zgjedhur kryetarin e Kuvendit të Kosovës.
Në ulësen e drejtuesit të seancave, është zgjedhur të ulet deputeti i VV-së, Dimal Basha i cili përveç votave të partisë së tij dhe partive me të cilat kanë koalicion, mori edhe votat e disa deputetëve të PDK-së dhe AAK-së.
Kundër Bashës nga PDK votuan Ganimete Musliu, Nait Hasani, Kosovare Murseli dhe Fadil Demaku, ndërsa abstenuan Rashit Qalaj, Ferat Shala, Arbnore Salihu, Ariana Musliu Shoshi dhe Elmi Reçica.
Nga AAK, pro Bashës votuan Daut Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Bekë Berisha ndërsa abstenuan Time Kadrijaj dhe Adem Hoxha.
Në LDK të gjithë votuan kundër, pos Arben Gashit i cili abstenoi.
Tre deputetët e Nismës Socialdemokrate dhe Duda Balje po ashtu votuan kundër, shkruan lajmi.net.
Përveç Bashës, sot u zgjodhën edhe nënkryetarët nga tri partitë shqiptare, ku u votua pro Albulena Haxhiut nga VV, Vlora Çitakut nga PDK dhe Kujtim Shalës nga LDK. Gjithashtu, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës u zgjodh Emilja Rexhepi nga pakicat joserbe.
Por, ku ngeci puna?
Pas nënkryetarëve nga partitë shqiptare dhe pakicave joserbe, në rend për votim erdhi nënkryetari/ja nga minoriteti serb.
Nga Lista Serbe, për nënkryetar u propozua Slavko Simiq por që nuk i mori 61 vota.
Kryeparlamentari i sapozgjedhur Dimal Basha i hodhi në votim kandidatët e tjerë përmes shortit, përfshirë edhe emrin e Nenad Rashiqit, kryetarit të partisë serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i afërt me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti.
As Rashiq nuk mori vota të mjaftueshme gjatë votimit, ashtu si edhe deputetët e tjerë të Listës Serbe.
Për Rashiq, PDK abstenoi ndërsa LDK nuk mori fare pjesë në votim.
A mund të formoj kjo situatë një “ngërç” të ri?
Ehat Miftaraj nga IKD i ka bërë thirrje Dimal Bashës dhe partisë së tij, VV-së që të bëhet votimi i nënkryetarëve në pako pasi që po shihet si një veprim antikushtetues.
“Kryetar Dimal Basha, Lëvizje Vetvendosje. Lexone pikën 156 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të muajit gusht të vitit 2025.Mos boni filma, mos na dëshmoni sa jeni patriota se kush ka qenë patriot e trim e ka tregu veten në vitet 90. Dëshmonu bile se e doni vetem pak këtë Republikë dhe I respektoni vendimet e Gjyjatës Kushtetuese. Edhe Rregulloren e Kuvendit nenin 12 lexone. Vet e keni shkru, me vota tuaja u miratu. Tash edhe kete ceshtje doni me sjell punen me dergu ne kushtetuese dhe me vonu konstituimin edhe disa jave a muaj a? Mosni, se boll e keni vonu konstituimin. Çka eshte teper, eshte teper”, shkroi Miftaraj.
Albert Krasniqi nga Demokracia Plus gjithashtu konsideron se është antikushtetuese se si Vetëvendosja përmes Elbert Krasniqit ndau votimet për pakicat kombëtare rreth zgjedhjes së Nënkryetarëve të Kuvendit, dy të cilat u takojnë me Kushtetutë.
“Procedura për zgjedhjen e dy nënkryetarëve të Kuvendit që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë duhet të përsëritet, pasi mënyra e ndjekur nuk është në përputhje me Kushtetutën. Zgjedhja e tyre duhet të bëhet me një votim të vetëm, në bllok, për të dy kandidatët. Kandidati për nënkryetar nga komuniteti serb mund të propozohet vetëm nga Lista Serbe, e cila përfaqëson shumicën e deputetëve të këtij komuniteti, dhe jo nga subjekte të tjera politike”, tha ai.
“Aktivizimi i procedurës me short për përzgjedhjen e kandidatit mund të bëhet vetëm në rastet kur nuk ka propozime dhe gjithmonë në prani të deputetëve të komunitetit përkatës. Pa pjesëmarrjen e tyre, shorti nuk mund të zhvillohet. Gjithashtu, skenari për të shteruar kandidaturat e Listës Serbe me qëllim që pozita t’i kalojë ZSPO-së së Nenad Rashiqit, nuk mund të realizohet pa miratimin e shumicës së deputetëve të këtij komuniteti”, tha Albert Krasniqi.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tash parashikon krizë të re kushtetuese dhe se çështja mund të shkojë në interpretim të ri.
“Tash çështje konstitucionale, besoj që do të futmei në një krizë tjetër të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket vendeve të pakicave në RKS, pakicës sebre, e cila duhet të ketë qartësi sa i përket të drejtës për propozimit. Ne nuk marrin pjesë në procese që nuk i konsideorjmnë kushtetuese, është parimor. Tash të shohim si do të votojnë deputetët shumicë”, tha ai.
Nga PDK nuk janë deklaruar se pse nuk kanë votuar pro Nenad Rashiqit, por që nga VV vetëm se kanë filluar sulmet ndaj këtyre partive.
“Opozita në Kuvend sot, s’po ndahet dot nga partnerja e vjetër – Lista Serbe. Një listë që e luftoi Kosovën me armë dhe ende e mohon shtetin tonë. Abstenimi i PDK-së për Listën Serbe dhe mosvotimi për Nenad Rashiqin – një deputet nga komuniteti serb që e njeh shtetin e Kosovës, tregon se opozita e ka më të lehtë të mbajë gjallë koalicionin me Vuçiqin sesa të votojë për ata që e pranojnë Republikën e Kosovës”, ka shkruar deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci në Facebook.
Mosvotimi i nënkryetarit nga minoriteti serb, sipas njohësve të fushës pritet të shkaktoj një ngërç tjetër në Kuvendin e Kosovës, i cili pason pas atij të shkaktuar nga mosvotimi i kryetarit të Kuvendit, e që zgjati që nga 15 prilli, kur u mbajt seanca e parë konstituive e Kuvendit të Kosovës, pas së cilës pasuan më shumë se 50 të tjera.
Një bllokadë e tillë e përsëritur në Kuvend mund të zgjidhej përsëri pas ndërhyrjes së Gjykatës Kushtetuese por që kjo do të merrte shumë kohë, prandaj pritet që kjo të zgjidhet në seancën e ardhshme.
Kryetari i sapo zgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka caktuar seancën e radhës për të enjten më 28 gusht nga ora 11:00, ndërsa nuk dihet nëse kjo do të sjell një rezultat. /Lajmi.net/