11 seanca për ta konstituar Kuvendin por ai mbetet ende i pa konstituuar – A pritet të zgjidhet kryekuvendarja të mërkurën?

Procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës është futur në një qorrsokak politik që po zgjat më shumë se çdo parashikim fillestar. Edhe në tentativën e njëmbëdhjetë me radhë nuk pati kuorum, nuk u arrit ndonjë marrëveshje dhe mungoi tërësisht vizioni për dalje nga kriza. Deputetët, të ndarë dhe të shtyrë nga interesa partiake, po…

Lajme

05/05/2025 19:52

Procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës është futur në një qorrsokak politik që po zgjat më shumë se çdo parashikim fillestar. Edhe në tentativën e njëmbëdhjetë me radhë nuk pati kuorum, nuk u arrit ndonjë marrëveshje dhe mungoi tërësisht vizioni për dalje nga kriza.

Deputetët, të ndarë dhe të shtyrë nga interesa partiake, po tregojnë se ndarja e pushtetit është më prioritare për ta sesa ndërtimi i shtetit.

Si pasojë, është krijuar një vakuum institucional i rrezikshëm dhe një pasiguri politike që reflektohet drejtpërdrejt edhe tek qytetarët.

Aktualisht, Kosova është pa Kuvend funksional, pa Kryetar të Kuvendit dhe pa ndonjë afat të qartë për zgjidhje të situatës.

Në qendër të këtij bllokimi qëndroi edhe sot këmbëngulja e Lëvizjes Vetëvendosje që Albulena Haxhiu të mbetet kandidate për kryetare të Kuvendit, pavarësisht se në përpjekjet e mëparshme ajo ka dështuar të marrë shumicën parlamentare.

Propozimi për ta votuar atë përmes një procesi të fshehtë votimi nuk arriti të mbledhë mbështetjen e nevojshme, duke prodhuar një tjetër dështim. Pas këtij akti, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, vendosi ndërprerjen e saj, për vazhdim pas 48 orësh, më 7 maj në ora 10:00.

Liderët politikë reaguan me qëndrime të ndryshme pas kësaj situate. Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, akuzoi Vetëvendosjen për tentativë imponimi përmes një kandidature që nuk ka mbështetjen e deputetëve dhe tha se kjo bie ndesh me vullnetin qytetar.

Ramush Haradinaj nga AAK po ashtu theksoi se VV duhet të ndryshojë kandidatin për të hapur rrugën e konstituimit, përndryshe qëndrimet e AAK-së mbeten të pandryshuara – pa votë për Albulena Haxhiun.

Nga ana tjetër, Fatmir Limaj i Nismës Socialdemokrate hodhi fajin te partitë e mëdha për krizën dhe u bëri thirrje të gjithë aktorëve politikë që të lëvizin nga pozicionet e tyre dhe të arrijnë një marrëveshje, duke kritikuar edhe Albin Kurtin që po sillet sikur situata është tragjike vetëm sepse nuk ka numrat për të qeverisur i vetëm.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, Hekuran Murati doli në mbrojtje të Albulena Haxhiut, duke thënë se ajo është një figurë me integritet që më parë ka kundërshtuar Asociacionin, Demarkacionin dhe Gjykatën Speciale, prandaj meriton mbështetje.

Kur kjo përpjekje dështoi për herë të njëmbëdhjetë, VV tregoi sinjale reflektimi.

Redaksia e Klan Kosovës nxori për lexuesit një letër e cila, papritur i drejtohej kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut, në të cilën Albin Kurti i lutej për një marrëveshje bashkëpunimi, duke e paraqitur LDK-në si të vetmen alternativë për bashkëqeverisje.