11 armë zjarri të sekuestruara në 24 orët e fundit në Kosovë

Në 24 orët e fundit janë sekuestruar 11 armë zjarri në Kosovë. Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, janë sekuestruar nëntë pistoleta e dy pushkë, si dhe katër thika. Në një rast në fshatin Gramaçcel të Deçanit, gjatë një bastisje në pronat e tyre janë gjetur dhe konfiskuar dy pistoleta me leje, dy pushkë,…

Lajme

13/08/2025 09:38

Në 24 orët e fundit janë sekuestruar 11 armë zjarri në Kosovë. Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, janë sekuestruar nëntë pistoleta e dy pushkë, si dhe katër thika.

Në një rast në fshatin Gramaçcel të Deçanit, gjatë një bastisje në pronat e tyre janë gjetur dhe konfiskuar dy pistoleta me leje, dy pushkë, pajisje për mirëmbajtje të armëve, rreth 110 fishekë, si dhe katër thika dhe afro 1.5 gram marihuanë. Po ashtu u sekuestruan dy vetura për shmangie doganore. U ndaluan dy burra e dy gra, ndërsa me vendim të prokurorit ata më pas u liruan në procedurë të rregullt.

“Fsh. Gramaçel, Deçan 12.08.2025-09:30. Janë arrestuar tre të dyshuar, një mashkull kosovar dhe dy femra, njëra kosovare dhe tjetra me shtetësi të huaj, pasi që gjatë bastisjes në pronat e tyre janë gjetur dhe konfiskuar; një pistoletë (me leje) me 16 fishekë, një pushkë, një pistoletë (me leje) me karikator dhe me 24 fishekë, pajisje për mirëmbajtje të armëve, një pushkë, gjithsej 110 fishekë të kalibrave të ndryshëm, katër thika si dhe sasi të vogla substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë rreth 1.5 gram. Po ashtu, janë sekuestruar dy automjete për shmangie doganore, të cilat janë proceduar tek Dogana e Kosovës. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Pistoleta janë sekuestruar edhe në Lipjan, Drenas, Obiliq, Fushë-Kosovë, e Skënderaj dhe dy në Rahovec – në fshatrat Xërxë dhe Polluzhë.

Tre persona u dërguan në mbajtje e rastet tjera shkuan në procedurë të rregullt.

Rastet e raportuara në Polici:

MBAJTJE NË PRONËSI, KONTROLL OSE POSEDIM TË PAAUTORIZUAR I ARMËVE /PËRDORIM I ARMËS APO MJETIT TË RREZIKSHËM

Lipjan 29.05.2025-08:30. Është shoqëruar në stacionin policor e dyshuara femër kosovare pasi që muaj më parë kishte publikuar një video në rrjet social duke shtënë me armë zjarri. Pistoleta është sekuestruar dhe me vendim të prokurorit e dyshuara është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

Gllogoc 12.08.2025-18:30. Raportohet se njësiti policor nga i dyshuari mashkull kosovar ka konfiskuar armën e zjarrit me një karikator me 27 fishekë pasi që i njëjti gjatë ahengut familjar dyshohet se ka shtënë me të. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

KANOSJE/PËRDORIM I ARMËS APO MJETIT TË RREZIKSHËM

Plemetin, Obiliq 12.08.2025-20:40. Njësiti policor gjatë patrullimit ka hasur të dyshuarin mashkull kosovar i cili me vete kishte një armë zjarri. Nga i dyshuari arma e zjarrit me shtatë fishekë dhe dy gëzhoja janë konfiskuar, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

KANOSJE/ MBAJTJE NË PRONËSI, KONTROLL OSE POSEDIM TË PAAUTORIZUAR I ARMËVE

Rr. Gjergj Fishta, Fushë Kosovë 12.08.2025-18:12. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, i njëjti pas një mosmarrëveshje ka kanosur viktimën mashkull kosovar duke i drejtuar armën e zjarrit. Nga i dyshuari është konfiskuar arma e zjarrit me një karikator me 9 fishekë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.

MBAJTJE NË PRONËSI, KONTROLL OSE POSEDIM TË PAAUTORIZUAR I ARMËVE

Fsh. Gramaçel, Deçan 12.08.2025-09:30. Janë arrestuar tre të dyshuar, një mashkull kosovar dhe dy femra, njëra kosovare dhe tjetra me shtetësi të huaj, pasi që gjatë bastisjes në pronat e tyre janë gjetur dhe konfiskuar; një pistoletë (me leje) me 16 fishekë, një pushkë, një pistoletë (me leje) me karikator dhe me 24 fishekë, pajisje për mirëmbajtje të armëve, një pushkë, gjithsej 110 fishekë të kalibrave të ndryshëm, katër thika si dhe sasi të vogla substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë rreth 1.5 gram. Po ashtu, janë sekuestruar dy automjete për shmangie doganore, të cilat janë proceduar tek Dogana e Kosovës. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

MBAJTJE NË PRONËSI, KONTROLL OSE POSEDIM TË PAAUTORIZUAR I ARMËVE

Fsh. Xërxë, Rahovec 12.08.2025-01:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri. Pistoleta me një karikator me pesë fishekë dhe pesë gëzhoja janë sekuestruar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Fsh. Polluzhë, Rahovec 11.08.2025-21:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri në një aheng familjar. Pistoleta me një karikator është sekuestruar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

KANOSJE/ MBAJTJE NË PRONËSI, KONTROLL OSE POSEDIM TË PAAUTORIZUAR I ARMËS

Fsh. Abri e Poshtme, Skenderaj 12.08.2025-19:30. Është arrestuar i dyshuari kosovar pasi që, i njëjti kishte ekspozuar një armë të zjarrit. Nga i dyshuari është sekuestruar një revole. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit dërgohet në mbajtje.