Shoqëria italiane shpreh interesim për trashëgiminë e Kosovës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, priti sot në një takim, D’Aelo Pietro Ivanoch nga “Società a Archeologica del Centro Italia”, një kompani e specializuar dhe profesionale në fushën e trashëgimisë kulturore, e cila vepron në Itali dhe në vende tjera.

Lajme

09/02/2016 13:53

Ministri Shala e falënderoi D’Aelo Pietro Ivanoch për vizitën në Kosovë dhe u shpreh i gatshëm të krijojë lehtësira për bashkëpunim profesional në fushat përkatëse, veçmas me institucionet vartëse profesionale të MKRS-së, transmeton lajmi.net

Po ashtu, ministri Shala u shpreh i gatshëm të mbështes veprimtarinë e kësaj shoqërie në Kosovë, përbrenda kornizave ligjore, duke shtuar se trashëgimia kulturore, është interes i Kosovës dhe si e tillë e ka kujdesin e veçantë të MKRS-së.

Ndërkaq Ivanoch u shpreh se SACI është një shoqëri profesionale që vepron në shumë vende dhe mund të ndihmojë trashëgiminë kulturore të Kosovës, nëpërmjet lobimit për projekte të ndryshme, krijimit të mundësive për të realizuar ekspedita arkeologjike dhe për të afirmuar turizmin kulturor të Kosovës.

Po ashtu, ai u shpreh se SACI mund të gjejë mundësi për të ndihmuar institucionet e trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe të rinjtë tjerë, në fushën e shkollimit dhe të avancimit profesional nëpër vende të ndryshme të Evropës. /lajmi.net