“100 euro s’janë zgjidhje” – Si ndikojnë transferet nga Qeveria në jetën e qytetarëve?

Transferet e njëhershme, shtesat mujore dhe ndihmat emergjente janë bërë pjesë e përditshmërisë për mijëra qytetarë në Kosovë. Por, përtej shifrave dhe pagesave, mbetet pyetja se sa e ndryshojnë realisht këto masa jetën e njerëzve. 100 euro për pensionistët, 100 euro për studentët, 30 deri në 90 euro në muaj për fëmijët. Kështu, në vitet…

Lajme

01/02/2026 15:30

Transferet e njëhershme, shtesat mujore dhe ndihmat emergjente janë bërë pjesë e përditshmërisë për mijëra qytetarë në Kosovë.

Por, përtej shifrave dhe pagesave, mbetet pyetja se sa e ndryshojnë realisht këto masa jetën e njerëzve.

100 euro për pensionistët, 100 euro për studentët, 30 deri në 90 euro në muaj për fëmijët. Kështu, në vitet e fundit, dhjetëra miliona euro nga buxheti i Kosovës kanë kaluar drejtpërdrejt në xhirollogaritë e qytetarëve, përmes skemave të ndryshme.

Qytetarët besojnë se ndihmat prej 100 eurove s’janë zgjidhje dhe se duhet të investohet në gjëra më të nevojshme si çerdhe publike.

“Çdo ndihmë është e mirëseardhur për këtë gjendje që e kemi ne tash në Kosovë, varfëri e madhe. Megjithatë, ato janë ndihma të përkohshme. Ndihma më e mirë do të ishte të rriteshin pensionet, pagat me përqindje me koston e jetës qysh po shtrenjtohet. Se ajo është ndihmë momentale, 100 euro s’janë zgjidhje”, tha qytetari Feriz Krasniqi.

“Më e rëndësishme është investimi në atë drejtim, për shembull, për çerdhe publike të kemi sa më shumë. Ka mungesë të çerdheve publike. Unë për vete, fëmijët i kam në çerdhe private. Kostoja shumë e lartë, minimum 250 euro për fëmijë. Ma mirë është me investu në atë drejtim, sesa këto të ardhurat e njëhershme që janë”, u shpreh qytetari Shqiprim Aliu.

Kurse, Visar Ymeri, drejtor ekzekutiv i institutit “Musine Kokalari” beson që politikat qeveritare në skemat sociale duhet të jenë afatgjate.

“Ne nuk mund të flasim për skema sociale nga pozicioni i, ta zëmë, fjalisë “njerëzit kanë nevojë”, se njerëzit kanë nevojë gjithë. Por, skemat sociale dhe në përgjithësi politikat qeveritare duhet ta kenë një qëllim të caktuar, që mund të jetë afatshkurtër, afatmesëm, por mirë do të ishte të jetë afatgjatë”, tha ai.

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, vetë ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati kishte bërë të ditur se numri i familjeve që konsiderohen “të cenueshme” është rritur për 25 për qind./Radio Evropa e Lirë/