Trusti i Kosovës mbyll vitin 2025 me kontribute rekord, 330 milionë euro vetëm brenda 11 muajve
Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) ka hyrë në periudhën e fundvitit me rezultate të qëndrueshme financiare, duke konfirmuar se viti 2025 ka qenë një ndër vitet më stabile për investimet pensionale të qytetarëve. Sipas të dhënave zyrtare nga Trusti për lajmi.net, deri më 30 nëntor 2025, Fondi nuk ka shënuar asnjë rënie të…
Lajme
Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) ka hyrë në periudhën e fundvitit me rezultate të qëndrueshme financiare, duke konfirmuar se viti 2025 ka qenë një ndër vitet më stabile për investimet pensionale të qytetarëve.
Sipas të dhënave zyrtare nga Trusti për lajmi.net, deri më 30 nëntor 2025, Fondi nuk ka shënuar asnjë rënie të vlerës së investimeve. Përkundrazi, performanca ka qenë pozitive për të tre portofolat investues.
280 milionë euro fitim nga investimet
Trusti në një përgjigje për lajmi.net, ka bërë të ditur se kthimi nga investimet për 11-mujorin e këtij viti kap shifrën e rreth 280 milionë eurove, duke reflektuar një stabilitet të qëndrueshëm të tregjeve ndërkombëtare financiare dhe një strategji të kujdesshme të menaxhimit të fondeve pensionale.
“FKPK-ja nuk ka rënie të vlerës nga investimet për vitin 2025. Aktualisht, deri më 30 nëntor 2025, kthimi nga investimet për vitin 2025, për të tre portofolat investues, është rreth 280 milionë euro”, thuhet në përgjigjen e Trustit për lajmi.net.
Ky rezultat vjen pas dy viteve të luhatshme në tregje, ku pas vitit 2022 me humbje të theksuara, vitet pasuese kanë rikuperuar ndjeshëm vlerën e kursimeve të qytetarëve.
Kontribute rekord: 330 milionë euro vetëm në vitin 2025
Përveç performancës së investimeve, Trusti konfirmon se kontributet e reja të mbledhura përgjatë vitit 2025 kanë arritur në rreth 330 milionë euro.
Kjo shifër konsiderohet një ndër më të lartat historikisht dhe reflekton rritjen e numrit të kontribuuesve aktivë në tregun e punës, si dhe rritjen e pagave në sektorin publik dhe privat.
“Për të njëjtën periudhë të raportimit (pra deri më 30 nëntor 2025) kontributet e reja për këtë vit e kapin shifrën e rreth 330 milionë eurove”, theksohet në përgjigje.
Fundvit i qëndrueshëm për kursimet e qytetarëve
Me fitimet nga investimet dhe kontributet e larta, vlera e përgjithshme e fondeve pensionale ka vazhduar të rritet, duke ofruar siguri më të madhe për kursimet në afatgjatë të qytetarëve të Kosovës.
Derisa Trusti pritet të publikojë raportin final vjetor në janar 2026, por të dhënat paraprake tregojnë se viti 2025 do të mbyllet si një prej viteve më të mira të dekadës së fundit për kursimet pensionale.
Duhet përmendur faktin se shumë prej qytetarëve të Kosovës ndër vite kanë pasur probleme sa i përket mënyrës së funksionimit të Trust-it, apo mos pagesave të kompanive që atyre t’u llogaritet trusti.
Pro tanimë kjo gjë është er regulluar thuajse në secilën kompani, e secili punëmarrës tanimë paguhet edhe në kuadër të Trustit- që në të ardhmen ato të ardhura të mund t’u shërbejnë.
Kësisoj secili qytetar tanimë ka qasje në Trust që ta dijë gjendjen e tij.
E shifrat kishin ndryshuar shumë gjatë kohës së pandemisë, asokohe kur qytetarët edhe kërkonin që të mund t’i shfrytëzonin këto të ardhura më herët e jo në pension siç edhe parashihet./Lajmi.net/