1749 të burgosur që shtetit i kushtojnë mbi 20 milionë euro në vit- Zgjohen në ora 7 e punojnë automekanikë, pllaka e deri te prodhimi i qeseve
Nëpër qendrat e paraburgimit e në të gjitha institucionet korrektuese të Kosovës qëndrojnë shumë shqiptarë, e qytetarë të komuniteteve të tjera të cilët kanë kryer vepra nga më të ndryshmet, e për të cilat edhe janë dënuar. Në kuadër të këtyre burgjeve gjenden edhe të mitur, gra, të rinj e burra që tashmë dolën në…
Lajme
Nëpër qendrat e paraburgimit e në të gjitha institucionet korrektuese të Kosovës qëndrojnë shumë shqiptarë, e qytetarë të komuniteteve të tjera të cilët kanë kryer vepra nga më të ndryshmet, e për të cilat edhe janë dënuar.
Në kuadër të këtyre burgjeve gjenden edhe të mitur, gra, të rinj e burra që tashmë dolën në pension.
Shumë prej tyre jetesën në këto burgje e bëjnë të rregullt, por ka edhe të atillë që s’i shkak i rrezikut që paraqesin edhe nga burgjet u duhet të jetojnë në vetmi- ndryshe nga të burgosurit e rregullt.
Sikurse shumë njerëz jashtë këtyre mureve, ata zgjimin e bëjnë në ora 07:00.
Por zgjimi i tyre nis shpesh herë me thirrjet që u bëhen nga gardianët e burgjeve, ata të cilët edhe përkujdesen për sigurinë e të burgosurve brenda objekteve të caktuara.
Për 1 mijë e 749 personat e burgosur në qendrat korrektuese të Kosovës, mëngjesi nis në të njëjtën kohë, pra në ora 7. Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës kanë bërë të ditur për lajmi.net se numri i të burgosurve në vendin tonë brenda 2024 ka arritur gati në 2 mijë gjithsej.
Qendra me më së shumti të burgosur brenda territorit tonë, është ajo e Dubravës.
Sipas informacioneve Qendra Korrektuese në Dubravë apo edhe njëra nga më të mëdhatë në vend ka mbi 700 të burgosur.
“Aktualisht, numri i të burgosurve në institucionet korrektuese është 1,749. Qendra me numrin më të madh të të burgosurve është Qendra Korrektuese në Dubravë, ku janë në mbajtje 752 të burgosur”,u tha nga ShKK.
E dita e atyre që dikur kryen një krim të caktuar ka një rutinë edhe brenda mureve në të cilat jetojnë.
Një ditë e zakonshme për një të burgosur fillon me zgjimin, mëngjesin, e më pas vazhdohet me shëtitjen e paradites. Pas kësaj për të gjithë shtrohet dreka, aktivitetet edukative dhe sportive, pjesëmarrja në programe, shëtitja e mesditës.
Ata po ashtu kanë mundësinë e realizimit të telefonatave e të pastrimit. Pas këtyre aktiviteteve bëhet mbyllja, hahet darka dhe bëhet fikja e dritave. E për shumë të burgosur që kanë probleme shëndetësore e që duhet të përdorin terapi të përshkruar nga stafi mjekësor, shpërndarja e terapisë bëhet sipas orareve të caktuara nga mjeku.
Disa nga të burgosurit gjenden aty prej javësh, muajsh e shumë të tjerë prej shumë vitesh. Tashmë jetën e tyre e kanë të fokusuar në qendrën korrektuese të cilës i takojnë.
E mira që i shoqëron ata përgjatë kësaj kohe është mundësia e punës.
Madje sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës në vendin tonë janë gjithsej 633 të burgosur të cilët kryejnë punë të ndryshme brenda institucioneve korrektuese.
Punët më të shpeshta të cilët kryejnë këta të burgosur janë: Kuzhinë, punëtori mekanike, automekanikë, axhustatorë, blegtori, bujqësi, pastrim, lavanderi e të tjera.
“Të burgosurit angazhohen në fusha të ndryshme pune, si: kuzhinë, punëtori mekanike, automekanikë, axhustatorë, blegtori, bujqësi, pastrim, berberë, lavanteri, punime me epoksid dhe pllaka, prodhim të letrës higjienike dhe qeseve plastike, kantinë, elektricistë, furrtarë, bibliotekë, etj”.
Mbyllja mes katër mureve tingëllon shumë e ashpër, por fakti që ekziston një rutinë e përditshme që krijon rend e një ambient jetese natyrisht se ua lehtëson sado pak qëndrimin aty.
E në baza ditore, kostoja që shteti e ndan për një të burgosur është 32 euro.
Kësisoj 32 euro në ditë për gjithsej 1 vit apo 365 ditë i bie që shtetit t’i kushtojë një i burgosur hiç më pak se 11 mijë e 680 euro.
Në tërësi në një vit kalendarik për këtë numër të të burgosurve shteti ndan rreth 20 milionë e 428 mijë e 320 euro.
Sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës, kostoja prej 32 eurosh mbulon të gjitha nevojat dhe kërkesat për një të burgosur sipas standardeve ndërkombëtare. Pra, këtu përfshihen ushqimi e çdo nevojë tjetër esenciale e të burgosurve.
E sa i përket infrastrukturës së burgjeve në vendin tonë, jo shumë prej tyre janë të renovuara të ndërtuara si të reja apo diçka të ngjashme.
Por Sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës institucioni më i ri korrektues në Kosovë është Qendra e Paraburgimit në Prishtinë, saktësisht në Hajvali.
Sipas SHKK-së kjo qendër paraburgimit ka filluar punën me të burgosur në vitin 2019.
Ky institucion i ka kushtuar shtetit të Kosovës rreth 6 milionë euro, kurse punimet dhe kontrata janë menaxhuar dhe mbikëqyrur nga Ministria e Administratës Publike.
E në mesin e të burgosurve të përgjithshëm në Kosovë janë edhe një numër të cilët konsiderohen si “Persona të burgosur por me rrezikshmëri të lartë”.
Këta persona në të shumtën e rasteve nuk bëjnë pjesë në të burgosurit e rregullt, apo ata që edhe fitojnë liri shpesh herë.
E këta persona si shkak i rrezikshmërisë së tyre shumë herë duhet të qëndrojnë në vetmi.
Në Kosovë, apo nëpër qendrat korrektuese të vendit janë gjithsej 94 persona të tillë.
Pra aktualisht në vendin tonë numri i personave me rrezikshmëri të lartë është 94.
Përpos zhvillimit që kanë pasur qendrat korrektuese në vendin tonë dhe përmirësimit të gjendjes së tyre, aty ka pasur edhe probleme.
Madje në vitin e kaluar disa herë radhazi ka pasur të burgosur të cilët kanë arritur që të arratisen.
Si shkak i këtyre arratisjeve, një nga ish të burgosurit kreu një krim tjetër në Serbi e përfundoi i vrarë nga autoritetet atje.
Problemi në fjalë u kritikua shumë, e për këtë çështje problem u panë të jenë institucionet përgjegjëse në vend./Lajmi.net/