​Qytetarët bëjnë homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari”: Prekazi vend i shenjtë

Qytetarë të shumtë me rastin e 14-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”. Për ta, Prekazi është i shenjtë.

Lajme

17/02/2022 13:42

Në shenjë respekti dhe nderimi për jetën dhe veprën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, qytetarë të komunave të ndryshme kishin ardhur në Prekaz.

Salih Nuredini nga Shtimja, thotë se Kosova nuk do të ishte e lirë sot sikur mos të ishte familja Jashari.

“Prekazi për ne simbolizon çfarë të duash, më mirë ku don ta çosh, këta kanë dhënë jetën për ne që populli të jetë i lumtur dhe i lirë. Nëse nuk do të ishte familja e Jasharëve ne nuk do ishim askund”, tha ai.

Për Osman Rizën, nga Drenasi, Prekazi është një vend të shenjtë.

“Prekazi është një vend i shenjtë në të cilin kanë dhënë jetën që ne ta gëzojmë sot këtë, falë tyre, falë gjakut të tyre, dhe nuk e di a ka dikush që i thotë vetës shqiptar që nuk i simbolizon ky vend, këto varre dhe këta gjak”, ka thënë Osmani.

E Murat Geci kujtoi nëntorin Skënderbeut, të vitit 1443, për të përfunduar me sakrificën e familjes Jashari.

“Po sigurisht këto festa të popullit janë festa të shenjta, duke filluar nga koha e Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe kuptohet edhe legjendari Ademi Jashari. Ne duhet te punojmë tash, mirëpo po e shohim edhe vet se kanë sakrifikuar jetën për ditën që e kemi sot”, tha ai.

Sot shteti i Kosovës feston ditëlindjen e 14-të. Po në këtë datë, në orën 15:39, Kosova u shpall shtet i pavarur, sovran dhe demokratik ku në seancën solemne për shpalljen e pavarësisë morën pjesë 109 deputet prej 120.

Shpalljen e pavarësisë së Kosovës e bëri kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi.