Prishtina me më së shumti raste të dhunës në familje
Izolimi në kohë të pandemisë ka ndikuar në shtimin e numrit të rasteve të dhunës në familje. Sipas organizatës SIT, komuna e Prishtinës prinë me numrin e raportimit të dhunës, ku vetëm gjatë pandemisë janë raportuar 239 raste.
Lajme
Nga organizata SIT, Elza Islami, ka thënë për KosovaPress, se ndikimi i pandemisë vërehet më shumë te grupet e margjinalizuara, derisa ka theksuar se numri i rasteve të raportuara për dhunë, gjatë pandemisë ka qenë dukshëm më i lartë.
“Pandemia Covid-19, ka ndikuar te çdo lloj komuniteti, por që më shumë ka ndikuar te grupet e margjinalizuara ku e vërejmë një ngritje të diskriminimit dhe pabarazisë. Dhunë ka pasur edhe para pandemisë po kemi arrit me pa se gjatë pandemisë ka pasur raste të raportuara më shumë…. Për ditën ndërkombëtare të popullsisë kemi vendos me i shfaq disa nga statistikat e dhunës në Kosovë që janë raportuar nga gratë dhe vajzat…Në komunën e Prishtinës ka pasur më shumë raportime ku numri është 239”, ka thënë ajo
Ajo ka shtuar se qëllimi i këtij aktiviteti është vetëdijesimi dhe parandalimi i dhunës.
“Qëllimi i këtij aktiviteti është që me u parandalu dhuna dhe kush do që është dëshmitarë ose viktimë me raportuar dhunën. Dhuna mund të raportohet në numrin 080011112”, ka deklaruar Islami.
Sipas organizatës SIT, gjatë pandemisë janë raportuar 239 raste të dhunës në Prishtinë 80 në Prizren, 80 në Pejë,48 në jug të Mitrovicës, 21 në veri të Mitrovicës, 65 në Gjilan, 58 në Ferizaj dhe 75 në Gjakovë.