Hoti: Do t’i vëmë në punë të gjithë mekanizmat e shtetit për të mbrojtur gratë nga dhuna
Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës është ndriçuar me ngjyrë portokalli, kjo si pjesë e aktiviteteve të Fushatës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas.
Lajme
Në këtë ceremoni simbolike mori pjesë edhe kryeministri Avdullah Hoti i cili premtoi angazhim ndërinstitucional për të mbrojtur dhe përkrahur gratë kosovare.
Ai tha se do ti vendosin në punë të gjithë mekanizmat shtetërorë në mënyrë që dhunuesit e grave kosovarë të marrin dënimin e merituar.
“Besoj që është bërë punë e madhe gjatë gjithë këtyre viteve dhe gradualisht po vijmë në pikën e një vetëdije shumë më të lartë të qytetarëve kundër këtij fenomeni. Është obligim i yni institucional dhe njerëzor që t’i vejmë në punë të gjithë mekanizmat e shtetit dhe të shoqërisë për të mbrojtur gruan në shoqëri dhe për ta ndihmuar atë për t’u fuqizuar në shoqëri me të gjitha elementet që ka shteti edhe përmes organeve të rendit dhe ligjit për të qenë efikas në rastet që mund të ndodhin në dhunën gjatë grave, edhe në fushën e arsimit duhet t’u japin përkrahje grave, edhe në fushën e ekonomisë për t’i fuqizuar ekonomikisht”, tha ai.
Ai tha se tani në vitin 2020 vetëdija qytetare është ngritur për të quar përpara këtë kauzë, ndërkohë që kërkoi edhe ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë për të reduktuar këtë dukuri të shpeshtuar viteve të fundit në vendin tonë.
Ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Nernmarck Ahliny, tha se gjatë kohës së pandemisë kanë vërejtur një shtim të rasteve të dhunës në bazë gjinore, ndërsa shtoi se duhet të gjenden mekanizma për të luftuar këtë dukuri.
“Natyrisht gjatë kësaj pandemie kemi hasur në shumë raste të dhunës në bazë gjinore dhe natyrisht se kjo nuk është e mirë për neve dhe duhet të japim maksimumin që të mbrojmë rolin e gruas dhe grave në përgjithësi dhe gratë kosovare duhet ta kenë të njëjtin tretman. Natyrisht duhet t’i gjemë ato mekanizma me të cilat duhet të luftojmë këtë dukuri dhe të ecim përpara. Kjo është e vetmja mënyrë për të ecur përpara në këtë moment”, tha ai.
Kujtojmë se përveç dhunës së shtuar ndaj grave, këtë vit në Kosovë janë vrarë gjashtë gra për të cilat po kërkohet vazhdimisht drejtësi.