​Ekonomia e Kosovës tkurret rreth 6 për qind, vonesa për rimëkëmbje kolapson vendin

Ekonomia e Kosovës tkurret 5.9 përqind dhe çdo ditë vonesë e realizimit të planit të rimëkëmbjes do të ndikojë në thellim të mëtutjeshëm të rënies ekonomike.

Lajme

04/07/2020 09:44

Kështu ka bërë të ditur guvernatori i Bankës Qendrore(BQK) Fehmi Mehmeti, i cili thotë se pandemia Covid-19, përveç pasojave në aspektin shëndetësor, ka dobësuar rëndë perspektiven ekonomike të Kosovës.

Ndonëse, drejtues të odave ekonomike vlerësojnë se nëse me urgjencë partitë parlamentare nuk veprojnë për rishikimin e buxhetit dhe ratifikimin e marrëveshjeve financiare ndërkombëtare për rimëkëmbje ekonomike, do të çojë në kolaps masiv bizneset në Kosovë.

Guvernatori Mehmeti ka thënë për KosovaPress, sa i përket stabilitetit financiar, BQK në vazhdimësi në baza ditore po e ndjek gjendjen e sektorit financiar, i cili është një sektor financiar stabil, likud dhe mirë i kapitalizuar përkundër pandemisë.

“Pas vlerësimit të fundit që kemi bërë ka dalë që rënia ekonomike do të jetë minus 5.9 përqind. Ngjashëm i kemi edhe parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar që parashikojnë të kemi një rënie ekonomike minus 5 përqind, ngjashëm edhe Banka Botërore. Mirëpo, çdo ditë vonesë në aktivizimin e planit të rimëkëmbjes do të ndikoj që të kemi edhe thellim të mëtutjeshëm të rënies ekonomike si në Kosovë, ashtu edhe në nivel global. Ajo çka e bënë të veçantë pandeminë, është që nuk dihen përmasat e saj dhe periudha se sa do të jetë e gjatë pandemia”, thotë Mehmeti.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizimit të Kosovës(OAK), Skënder Krasniqi thotë për KosovaPress, se përderisa vendet tjera kanë marrë masa për shpëtimin e ekonomisë së tyre me një mbështetje të vazhdueshme për biznesin dhe për punëtorët e sektorëve të dëmtuar, Kosova ka ngecur në këtë drejtim dhe dëmet janë të pa riparueshme.

Kryetari Krasniqi ka ftuar të gjitha partitë politike, qeverinë, deputetët që me urgjencë ta miratojnë rishikimin e buxhetit dhe marrëveshjet financiare ndërkombëtare, në mënyrë të hapet rruga për zbatimin e pakos emergjente fiskale dhe fillimit të zbatimit të planit të rimëkëmbjes.

“Vendi ka ngecur me paaftësi në përkrahjes e bizneseve dhe punëtorëve të sektorit privat. Nëse vazhdon kjo gjendje me mungesë të vullnetit të qeverisë, partive politike, deputetëve në parlamentit…Kosova do të përballet me një vështirësi dhe gjendje të jashtëzakonshme që nuk kanë me pasur vendet e tjera. Dëmet do të jenë të pariparueshme për shumë vjet për vendin tonë. Sidomos do të pësoj në rënien e numrit të punëtorëve, uljen e prodhimit vendor, edhe ashtu është me probleme të mëdha, por do të ketë rënie edhe buxheti, si dhe do të kemi një krizë të jashtëzakonshme”, thotë Krasniqi.

Drejtori ekzekutiv i Odë Ekonomike Amerikane në Kosovës, Arian Zeka thotë për KosovaPress, se nëse institucionet nuk veprojnë shpejt për rimëkëmbje ekonomike dhe nuk zbatohen masat emergjente për punëtorë dhe biznese, do të ketë kolaps për kompanitë në vend.

“Vonesat për rishikimin e buxhetit dhe aprovimin e marrëveshjeve financiare ndërkombëtare të cilat janë burimet e vetme për financimin e këtyre masave që janë paraparë me pakon e rimëkëmbjes, por edhe zbatimin deri në fund të masave që janë paraparë me pakon emergjente fiskale do të çoj në kolapsin masiv të ndërmarrjeve në Kosovës. Pas heqjes ë masave kufizuese një pesë e madhe e kafiterive, restoranteve në vend, megjithatë nuk kanë rifilluar fare punën për shkak se nevojitet një kosto e madhe e rinisjes së punës pas heqjes së masave kufizuese, por në anën tjetër disa prej tyre e kanë të pa mundur që të mbulojnë edhe shpenzimet operacionale të tyre, duke ditur që qarkullimi dhe të hyrat e tyre mbesin të ulëta në kushte të kufizimit të vazhdueshëm”, thotë Zeka.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se përveç mospajtimeve nga partitë parlamentare, edhe virusi korona i shfaqur tek deputetët dhe sekretaria, mund të shtyjë edhe më tej rishikimin e buxhetit.

“Unë s’mundem me i komentua krejt zhvillimet brenda partive politike, por po shpresoj që pasi edhe ne kemi biseduar edhe me parti politike, që së paku te pjesa e rishikimit të buxhetit dhe te pjesa e marrëveshjeve ndërkombëtare që kanë implikime financiare do të ketë lëvizje në javët në vazhdim. Unë kam pritë që do të ketë këtë javë, por tashmë në parlament ekziston edhe një problem teknik shkaku i virusit”, tha Rukiqi.

Ndryshe, pakoja e parë e ashtuquajtur Pakoja Emergjente Fiskale, e cila do të duhej zbatuar në fillim të pandemisë, ende asnjë masë e kësaj pakoje nuk është implementuar tërësisht. Pra, as masa “3a” për subvencionim e pagave nga 170 euro për punëtorët në sektorit privat, si dhe masa “3b” për qiranë e bizneseve 50 përqind nuk janë zbatuar ende.