​BMW për maskën kontroverse: Kur ta shihni drejtpërdrejt, do të ndryshoni mendje

Prodhuesi bavarez mendon se dizajni i mirë nuk duhet të pëlqehet nga të gjithë.

Auto & Tek

23/05/2021 20:59

Që nga lansimi i serisë aktuale BMW 4, dhe më pas M3 dhe M4, grila e re, masive e radiatorit ka provokuar komente konfliktuale. Entuziastët e BMW-së shpesh komentojnë më shumë për modelin e tij sesa karakteristikat e vetë automjetit.

Reagimet e dashamirëve të makinave kanë arritur te prodhuesi bavarez, i cili mbron veten duke pretenduar se “dizajni i mirë nuk është për të gjithë”.

Domagoj Dukec, shefi i dizajnit të markës BMW, foli për BMWblog rreth “veshkave” të reja në grilën e radiatorit.

Dukec beson se maska e re mund të shihet në dritën e duhur vetëm kur vetura shihet në rrugë.

“Ne besojmë se klientët do të kenë një mendim krejtësisht të ndryshëm në lidhje me maskën e re kur të shohin drejtpërdrejt BMW M3/M4”, shpjegon ai.