​Shqiptarët në Maqedoni u pranuan si policë por disa u përjashtuan pa arsye

Ministria e Brendshme e Maqedonisë vazhdon me shkeljet skandaloze të parimit kushtetues për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.

Lajme

14/03/2015 19:56

Nuk mjaftonte që në konkursin e fundit për pranimin e 400 policëve të ishin pranuar vetëm 18,5% shqiptarë, por tani me vendim të ri të ministrisë, janë përjashtuar edhe 16 kandidatë të tjerë, të cilët gjatë kursit 1 vjeçar kishin grumbulluar pikët e nevojshme për pranim.

Nga 74 policë shqiptarë të pranuar fillimisht, tani numri ka rënë në 58, ose në përqindje vetëm 14,5% nga gjithsej 400 policët e pranuar me këtë konkurs.

Zëvendësministri i Brendshëm, Zemri Qamili e konfirmoi këtë lajm, por nuk pranoi të prononcohet për shkak se gjendej në udhëtim.

Në një deklaratë të tij pas vendimit fillestar për pranimin 74 policëve, Qamili theksoi se për tu përmbushur 25 përqindëshi, në këtë konkurs duhej pranuar 100 policë shqiptarë, ndërsa fajin për dështimin e potencoi tek pikët e dobëta të disa kandidatëve.

“Sipas suksesit që treguan kandidatët, me punë do të fillojnë 74 policë shqiptarë, ndërsa 24 do të pajisen me certifikata dhe në bazë të nevojës do të angazhohen në Ministrinë e Punëve të Brendshme… gjatë procesit të trajnimit për grumbullimin e pikëve, përgjegjësia është edhe e kandidatëve, që duhet të angazhohen më tepër për grumbullimin e pikëve”, tha ai më 15 janar të këtij viti.

Por vendimi i ri i MPB-së dëshmon se mund të eliminohen edhe ata kandidatë që kanë kaluar me sukses të gjitha filtrat për punësim, përfshi edhe kursin 1 vjeçar në Qendrën për trajnim në Idrizovë.

Gjatë javës së kaluar, kur kandidatët e pranuar kanë marrë vendim për fillim me punë, 16 kandidatë shqiptarë janë njoftuar se janë të pakualifikuar për punësim në MPB dhe nuk kanë marrë shpjegime shtesë.

Sipas raporteve të Avokatit të Popullit, në Ministrinë e Brendshme ka vetëm rreth 18% shqiptarë. Policia është një ndër sektorët që më së shumti zvarrit procesin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, me rritje prej vetëm 2% në 4 vjet.

Duke marrë parasysh numrin shumë të vogël të shqiptarëve të pranuar në disa konkurse të fundit gjatë kësaj periudhe, pritet që për herë të parë pas shumë kohësh, përfaqësimi i shqiptarëve në polici të shënojë ulje në vend se ngritjes.