Të Infektuar: 58.687

Të Shëruar: 51.337

Të Vdekur: 1.471

​Shqipëri: Masat ekzistuese antiCovid mbeten në fuqi pa afat

16:57 | 2 Dhjetor 2020

Komiteti i Ekspertëve në mbledhjen e zhvilluar sot mori vendimin unanim për të vazhduar masat kufizuese antiCOVID, të cilat do të vijojnë të mbeten në fuqi pa afat.

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, tha sot në konferencën për shtyp se “do të vijojnë të jenë të ndaluara grumbullimet me mbi 10 persona në vende të hapura e të mbyllura, mbledhjet partiake, tubimet, konferencat, ceremonitë e festave, ato martesore, ato mortore jashtë rrethit familjar, kufizimi i bareve e restoranteve fast-food nga ora 22:00-6:00 (përveç shërbimit delivery), do të vazhdojë të jetë në fuqi pa afat kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00-6:00, ku përjashtim përbëjnë emergjencat dhe arsyet e punës. Administrata do të vijojë të punojë nga shtëpia, universitetet do të vazhdojnë online. Shkollat do të vazhdojnë me mësimin e alternuar fizik dhe online”.

“Të gjitha këto masa do të jenë pa afat dhe do të analizohet situata epidemiologjike në vazhdim duke i ndjekur me shumë kujdes efikasitetin dhe tendencat e lehta pozitive që janë vënë re javën e fundit në lidhje me numrin e rasteve te reja që kanë një tendencë rënie”, tha Rakacolli.

Zëvendësministrja Rakacolli u shpreh se ” kjo situatë është dinamike dhe nëse kjo situatë do të rëndohet mund të vlerësohen edhe masa të tjera shtesë”./atsh