Zvicër: Shqiptari nga Kosova vret me thikë bashkëkombësin nga Presheva

Një zënkë mes djemve të tyre, ka përshkallëzuar me vrasje. Kosovari 52 vjeçar ka therur për vdekje preshevarin 49 vjeçar.

Lajme

23/03/2015 12:15

Të dielën ka ndodhur një vrasje e rëndë në mes shqiptarësh. Në Heiden, kantoni i Appenzell Ausserrhoden, shqiptari nga Kosova I. D. ka therur me thikë shqiptari nga Presheva, Xh. I (emrat e plotë të të dyve të njohur për redaksinë). Pas kësaj, vrasësi është paraqitur vetë në polici, raporton portali shqiptar në Zvicër, albinfo.ch.

Mediet zvicerane kanë shkruar për një vrasje në mes të një kosovari dhe të një serbi, duke iu referuar shtetësisë serbe të viktimës, preshevarit.

Ngjarja e dhunshme ka ndodhur pas një konflikti në mes të dy grupeve. Rreth orës 18.20 situata është përshkallëzuar në afërsi të një objekti shkollor.

Kosovari 52 vjeçar ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar preshevarin 49 vjeçar. Plagët e shkaktuara me thikë kanë qenë fatale për viktimën i cili ka vdekur në spital. Policia konsideron se shkas i fillimit të zënkës ka qenë një ndeshje futbolli që ishte zhvilluar pak më parë.

Ndërsa, gazeta zvicerane duke u bazuar në deklaratat e dëshmitarëve, shkruan se dorasi dhe viktima objektet e banimit të të cilëve ndodheshin afër, kishin miqësi mes vete. Dëshmitarët kanë thënë se nuk e kanë besuar atë që kanë dëgjuar, pasi viktima dhe dorasi kishin raporte të mira, dhe çdo herë përshëndetëshin mes vete. (lajmi.net)

2

FUSSBALL TOETUNGSDELIKT HEIDEN