Zonat e Lira Ekonomike pritet të zbusin papunësinë

Njohësi i çështjeve ekonomike, Lekë Musa, thotë se me krijimin e zonave ekonomike, Qeveria në një mënyrë po ndërhyn në rregullimin e tregut të lirë. Ndërsa, Lulzim Demolli nga MTI, pohon se këto zona kanë për qëllim nxitjen e investimeve të huaja në vend.

Lajme

01/04/2014 13:15

Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë thonë se krijimi i zonave të lira ekonomike ka për synim nxitjen e investimeve në Kosovë, transmeton REL.

Lulëzim Demolli, Këshilltar politik i Ministrit, Bernard Nikaj, thekson se këto zona i ofrojnë investitorëve infrastrukturë të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarive afariste.

“Rëndësia e zonave të lira ekonomike është shumë e madhe, sidomos për faktin se dy komunat ku janë themeluar deri më tani kanë qenë komuna me papunësi shumë të madhe dhe më një varfëri të theksua”r.

“Besojmë se me themelimin e këtyre dy zonave të lira ekonomike do të kemi investitorë të huaj të cilët do të vendosen në këto zona dhe do të hapin biznesin e tyre që do të zbusin papunësinë dhe varfërinë”.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim që qyteti i Gjakovës, Mitrovicës dhe Prizrenit të shpallen zona të lira ekonomike.

Por, njohës të çështjeve ekonomike konsiderojnë se funksionimi i këtyre zonave, do të ketë efekte negative dhe pozitive.

Ish’kryeshefi ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, Lekë Musa, tha për Radio Europa e Lirë se me krijimin e këtyre zonave, Qeveria njëfarë forme po ndërhyn në rregullimin e tregut të lirë.

“Pse një komunë duhet të ketë një zonë të lirë ekonomike, kurse një qytet tjetër mos të ketë? Pra duhet lënë mundësitë që biznesi apo industria vetë të përcaktohet se ku duhet të shkojë dhe ku e ka më të leverdishme”.

“Nëse ka politika të favorshme, të cilat mund të afrohen përmes zonave të lira, atëherë ato politika duhet të afrohen në tërë territorin e vendit”.

“Shtrohet pyetja se çfarë do të ndodh me ato komuna nëse bizneset vendosin që të largohen nga komunat e tyre dhe të shkojnë në zonat e lira ekonomike”.