Zhytësit e RENEA-s nxjerrin pjesë të helikopterit

Gjatë mesditës së sotme një grup zhytësish të njësitit “RENEA” në Shqipëri kanë bërë disa kërkime në ujërat e Liqenit të Shkodrës, në zonën përreth vendit ku dy ditë më parë ra helikopteri i Forcave të Armatosura.

Lajme

08/04/2016 19:24

Kërkimet janë bërë me qëllim gjetjen e pjesëve të ndryshme që mund të shërbejnë si prova materiale gjatë hetimeve. Burime konfidenciale pohuan se sot është nxjerrë një ulëse të pilotit dhe pjesa prej llamarine e derës së helikopterit që janë gjetur pranë vendit të ngjarjes.

Ndërsa një ditë më parë është gjetur dhe sekuestruar njëra nga slitat e helikopterit dhe një pjesë helike.

Pjesët, të rekuperuara në prani të ekspertëve të Eurocopter që mbërritën pasditen e sotme në vendngjarje, janë marrë me një kamionçinë dhe janë transportuar për në policinë e Shkodrës, si provë materiale për prokurorinë.

Ndërkohë, gjatë pasdites operacioni për nxjerrjen e helikopterit është ndërprerë përkohësisht për shkak të kushteve atmosferike.

Mësohet se për nxjerrjen e helikopterit do ndërhyjnë zhytësit e Marinës së Vlorës, të cilët mendohet ta nxjerrin duke i vendosur jastëkë ajri dhe duke krijuar mundësinë e tërheqjes nga uji në drejtim të tokës. /Top Channel