Zgjedhjet që po “shkundin” Evropën

Forcat populiste që po vërshojnë nëpër të gjithë Europën tronditën Gjermaninë fundjavën e kaluar, teksa një humbje e paprecedentë për konservatorët e Angela Merkelit, tregoi që edhe shtylla e stabilitetit e kontinentit, nuk është imune ndaj “revoltës”.

Bota

08/09/2016 09:09

Për herë të parë në historinë e pasluftës, kristiandemokratët e Merkelit përfunduan prapa një sfidueseje populiste – një parti anti imigrantëve, vetëm 3-vjeçare. “Alternativa për Gjermaninë” e mundi partinë e saj në zgjedhjet që me gjasë do të shënojnë fillimin e një stine plot trazira në pjesën tjetër të Europës.

Aleatët e Merkelit në kryeqytetin gjerman shprehën tronditjen e tyre për rezultatin, ndërkohë që vetë kancelarja këmbënguli gjatë një udhëtimi në Kinë se politika e saj e migrimit – një objekt pakënaqësie në Gjermani dhe në Europë – mbetet në rrugën e duhur.

Rezultati i votimit po gjen jehonë edhe nëpër Europë, duke nxjerrë në pah faktin se kundër-reagimi populist i këtij viti, ndaj imigrimit dhe integrimit europian pritet të përhapë më shumë trazira.

Një javë nga e diela, zgjedhjet në Berlin ka gjasë t’i japin një tjetër goditje Merkelit. Dy javë më vonë, raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Austri mund të kurorëzojë të parin populist të djathtë në krye të një shteti të Europës Perëndimore, që nga fundi i Luftës së Dytë.

Më vonë këtë vjeshtë, Italia përballet me një referendum kushtetues që shihet si një votëbesim për qeverinë proeuropiane të Kryeministrit Matteo Renzi. Dhe në dhjetor, Spanja mund të zhvillojë zgjedhjet e treta parlamentare brenda një viti, një pasojë e fragmentimit politik dhe ndjenjave kundër politikës që kanë kapluar pjesën më të madhe të Europës.

Çdo sukses i populistëve në një vend europian, duket se u jep forcë populistëve në vendin tjetër, duke ngritur kështu skenën për një tjetër vit ku stekat janë shumë lartë, sidomos pas votimit për Brexit. Sondazhet tregojnë se udhëheqësja nacionaliste Marine Le Pen mund të arrijë deri në raundin e dytë, kur francezët të votojnë për presidentin në pranverën e vitit të ardhshëm. Në vjeshtë, Gjermania mban zgjedhjet e përgjithshme, që do të jenë një provë për demokracinë më të qëndrueshme të kontinentit.

“Ajo që dukej e pamundur dje, sot është bërë e mundur”, shkruajti në Tuiter Marine Le Pen. “Patriotët e Alternativës për Gjermaninë kanë ‘shembur’ partinë e Merkelit. Përgëzimet e mia…!”/bota.al