Zgjedhjet në Serbi sipas “modelit sovjetik”

Rezultatet zyrtare të zgjedhjeve të së dielës në Serbi kanë nxjerrë fituese Partinë Përparimtare Serbe të Aleksandar Vuçiqit, e cila thotë se mbështet vlerat e Bashkimit Evropian. Rezultatet kanë treguar se edhe nacionalistët serbë pro-rusë do të futen në parlament, për herë të parë qysh në vitin 2012.

Lajme

25/04/2016 17:06

Florian Biber, ekspert për Ballkanin Perëndimor në Universitetin e Gracit, thotë se rezultatet nuk janë befasi. Ai thotë se Vuçiq, kryeministër në pushtet dhe kryetar i Partisë Përparimtare Serbe, nuk do t’i kishte thirrur zgjedhjet e parakohshme, po të mos ishte i sigurt në fitore.

“Të gjithë kanë pritur se rezultatet do të jenë të njëjta, ose edhe më të mira se në zgjedhjet e para dy vjetëve. Qëllim i zgjedhjeve ka qenë të përforcohet pozita e partisë qeverisëse dhe kjo është arritur”, thotë Biber.

Por, a do ta pengojë Vuçiqin e djathta ekstreme e Vojisllav Sheshelit, e cila tani do të hyjë në Parlament, dhe a do të përpiqet ta kthejë temën e Kosovës në Parlament? Biber thotë se do të jetë Vuçiq ai që do të shfrytëzojë Sheshelin, për ta paraqitur si “përbindësh” në Bruksel.

“Partia Përparimtare Serbe tani mund të thotë se ekziston një opozitë, e cila është kundër reformave dhe euro-integrimit të Serbisë. E djathta, numerikisht, nuk është e madhe, por Vuçiq mund ta përdorë për lojërat e tij politike me Brukselin. Në njëfarë mënyre, kjo është loja e njëjtë që ka bërë Sllobodan Millosheviqi para 20 vjetësh, kur radikalët kanë qenë në Kuvend dhe ai thoshte: Na mbështetni se ka edhe më të këqij se ne”, thotë Biber.

Vuçiq ka premtuar se do ta udhëheqë Serbinë drejt Bashkimit Evropian, por në të njëjtën kohë i ruan edhe lidhjet e thella historike të Serbisë me Rusinë.

“Mendoj se këto zgjedhje kanë qenë sipas modelit sovjetik. Ato janë mbajtur për të mos ndryshuar asgjë”, thotë Erik Gordi, ekspert për Ballkanin, me seli në Londër.

Ai nuk mendon se e djathta ekstreme do të mund të kthejë çështjen e Kosovës në Kuvendin e Serbisë.

“Ndoshta do të përpiqet, por mendoj se procesi që ka nisur, do të vazhdojë”, thotë Gordi.

Serbia dhe Kosova kanë nënshkruar marrëveshjen e parë për normalizim marrëdhëniesh tre vjet më parë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Vuçiq është zotuar se do të bashkëpunojë për të qetësuar tensionet me Kosovën, e cila ka shpallur pavarësinë në vitin 2008.

Si rezultat i bisedimeve me Kosovën, Serbia, në janar të vitit 2014, ka nisur zyrtarisht bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Vuçiq ka qenë ish-ministër për Informacion i Serbisë gjatë regjimit të Millosheviqit. Ai po ashtu ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Sheshelit deri në vitin 2008.

Si ish-ultranacionalist i shndërruar në pro-evropian, Vuçiq ka thënë se politika e Sheshlit për krijimin e së ashtuquajturës “Serbi të madhe” dëmton përpjekjet e Serbisë për anëtarësim në BE./REL