Z-Mobile Sponsor Eksluziv i Prishtina International Film Festival

Festivali më i madh në vend Prishtina International Film Festival – PriFest, ka bërë të ditur sot se ka arritur marrëveshje sponsorimi me Kompaninë e telefonisë mobile Z-Mobile që kjo kompani të jetë Sponsor Eksluziv i festivalit.

ShowBiz

01/07/2017 16:41

Duke pasur parasysh cilësinë, gjithëpërfshirjen dhe përmasat gjithmonë e më të mëdha të këtij festivali, sponsorët kanë rolin kyç që cilësia e festivalit të mbahet lartë dhe të rritet çdo vit, andaj dhe është e natyrshme që përkrahja financiare bëhet gjithmonë e më e rëndësishme, dhe në rastin e PriFest partnerët e duhur kanë qenë dhe ata më besnikët.

“Z-Mobile ka kënaqësinë të jetë sponsor eksluziv i PriFest-it këtë vit. Ne e kemi ndjekur ecurinë e festivalit ndër vite dhe progresin e tij duke përcjellë dhe sa ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare e cila është gjithnjë e në rritje. Si kompani vendore ne e shohim shumë të rëndësishme që Festivali gjithashtu vë Kosovën në skenën botërore dhe nxjerr në pah shumë prej atributeve pozitive të popullatës së re dhe krijuese të vendit. Përveç kësaj për Z-Mobile paraqet një rëndësi të veçantë gjithëpërfshirja e këtij festivali që zgjon interes nga publiku më në moshë e deri te moshat më të reja, andaj për ne duke pasur të rëndësishme që të përkrahim ngjarjet kulturore në vend, mendojmë se ky festival është vendi i duhur ku Z-Mobile mund të vendos përkrahjen e vet” – u shpreh Milot Gjikolli, drejtori i Z-Mobile.

Ndërkohë që Vjosa Berisha, udhëheqëse e këtij institucioni të pavarur të kulturës në vend ndjehet shumë e kënaqur me këtë fakt:

“- Për ne është një lajm kyç në këtë kohë të vështirë të kuptojmë se kemi arritur të tërheqim vëmendjen e një kompanie vendore siç është Z-Mobile që të marrim përkrahjen e tyre si Sponsor Ekskluziv. Na bën të lumtur patjetër dhe ndjehemi krenar që nuk i kemi zhgënjyer sponsorët në asnjë moment dhe duke u bazuar në këtë po arrijmë që të zgjojmë interes te sponsorë të tjerë. Festivali rritet çdo vit e më shumë dhe nevoja për aktivitetet që i sjell PriFest industrisë së filmit dhe profesionistëve të filmit është shumë e madhe dhe e rëndësishme për zhvillimin e kinematografisë në Kosovë. Andaj të kesh në krah një sponsor si Z-Mobile që e kupton këtë logjikë, për ne është një stimul që të bësh më shumë çdo vit. Ne jemi pafundësisht falenderues ndaj Kompanisë Z-Mobile sepse profilit të festivalit tonë I është nevojitur një sponsor kaq I rëndësishëm, aq më shumë se nuk kemi kompani të telefonisë mobile në gamën e sponsorëve tanë dhe kjo do të na mundësojë që të jemi edhe më kreativ për t’I dhënë më shumë vlerë të shtuar publikut tone. Përkrahja e bizneseve si sponsor në festival është kyçe dhe po të mungonte kjo festivali do të pësonte shumë në organizim dhe cilësi”

Prishtina International Film festival është ndër eventet më të rëndësishme të vitit në kryeqytet, për shkak se kthen vëmendjen e industrisë së filmit nga e gjithë bota drejt Kosovës përgjatë një jave plot me filma premiere nga Europa, Ballkani dhe bota, si dhe workshop-e, trajnime dhe seanca të ndryshme.

Festivali këtë vit mban edicionin e tij të 9të në datat 13-20 korrik në Prishtinë dhe si mysafir nderi do të ketë regjisorin dhe skenaristin e njohur Paul Haggis, fitues I dy çmimeve Oscar me filmin Crash n 2005 dhe shumë çmime tjera.