Ymeri: Për “Zajednicën” duhet referendum

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se pavarësisht krijimit të perceptimit nëpër mediume se opozita po tregohet më e ashpër për Isa Mustafën si kryeministër, se sa për të parin e qeverisë para tij, Hashim Thaçin, një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

Lajme

23/09/2015 22:36

“Ne e kemi bërë vazhdimisht të njëjtën mënyrë të kundërshtimit edhe për Hashim Thaçin. Edhe Thaçit kur ishte kryeministër shpesh herë ia kemi ndalë raportimin nëpërmjet aksioneve në parlament e shpesh e kemi kundërshtuar politikën e tij përmes aktiviteteve e aksioneve në rrugë”.

Aksionet e Lëvizjes Vetëvendosje, Ymeri i arsyeton me qëndrimin se kjo lëvizje po punon në vetëdijesimin e qytetarëve për proceset politike të vendit.

“Ne vazhdimisht e kemi thënë që këto marrëveshje do të kundërshtohen edhe përmes protestave. Çdo aksion që Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë deri më tani, është në funksion të vetëdijesimi të qytetarëve për dëmin që ato ia sjellin Kosovës”.

Ai ka thënë se kundërshtimi i themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe do të vazhdojë deri në anulimin e marrëveshjes me Serbinë ose dorëheqjen e Qeverisë.

“Nëse marrëveshja nuk anulohet s’do të ketë punë normale në Kuvend. Ky kryeministër i cili po tenton që me c do kusht të gjejë hapësira ligjorë për të themeluar diçka që i kërkon Beogradi, s’mund të jetë kryeministër i Kosovës.

“Ne si Vetëvendosje do të protestojmë ose deri sa këto marrëveshje të anulohen ose derisa kjo qeveri të pushojë së ekzistuari”.

Treguesi më i mirë se cili është opinioni i qytetarëve karshi themelimit të “Zajednicës”, do ishte hedhja në votim e kësaj çështje në popull.

“Nëse e doni mendimin e qytetarëve të Kosovës se a e duan Zajednicën, mekanizmi i vetëm për këtë përgjigje do të ishte referendumi”, ka deklaruar Ymeri.

Opozita me në krye Lëvizjen Vetëvendosje si subjekti më i madh opozitar, e kishin bllokuar punën e kuvendit kur Kryeministri Isa Mustafa ndonëse kishte paralajmëruar raportim, nuk erdhi ta kryente obligimin. Bllokim të seancës pati edhe kur Mustafa u paraqit në parlament për të informuar deputetët për marrëveshjet e lidhura me Serbinë në Bruksel, ku i pari i qeverisë u godit me vezë nga deputetët opozitarë.

Këtë veprim të opozitës Ymeri e ka arsyetuar duke thënë se kryeministri nuk po e kryente punën siç duhet.

“Kryeministri duhet ta dijë që Kuvendit i jepet llogari e nuk raportohet. Ata janë qeveri që i përgjigjen kuvendit. Kryeministri herën e parë tha se dëshiron që të vijë, e më pas e anuloi me arsyetimin se nuk e kishte Hashim Thaçin në krah”.

“Ai në Kuvend filloi t’i thotë të njëjtat gjëra që i kishte thënë në media që tash e sa kohë”.

Ymeri edhe njëherë e ka ritheksuar qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje, se marrëveshja për themelimin e Komunave Serbe në Kosovë, është jashtëzakonisht e dëmshme. Sipas tij me 6% popullsi serbe në Kosovë, 23% të territorit do ta kontrollojë Serbia, gjë që do të ndikojë edhe në dobësimin e sovranitetit dhe ekonomisë së vendit./Klan Kosova