Xhamitë me shqiponja dhe katër hoxhallarët

Mbi të gjitha, te këta Katër Hoxhallarë, të cilët me siguri nuk janë të vetëm, ekzistonte një tendencë që fenë e tyre ta bëjnë sa më shqiptare. Edhepse nuk jam shumë i sigurt nëse religjioni duhet të nacionalizohet, në këtë rast të shqiptarizohet Islami, unë për vete u ndava shumë i knaqur me shërbimin dhe aktivitetin e këtyre Katër Hoxhallarëve.

Opinion

16/08/2016 18:58

Shkruan: Daut Dauti

Para katër muajve, kur babai im ndërroi jetë, mësova shumë gjëra. Njeriu nga baba mëson jo vetëm sa ai është gjallë por edhe gjatë dhe pas vdekjes. Gjënë e parë që e mësova ishte se minarja e xhamisë së lagjes sonë, në vend të hënës me yll, kishte shqiponjë. Unë këtë gjë nuk e kisha vërejtur më parë ndoshta për shkak që kokën dhe shikimin e kam mbajtur poshtë. Ndoshta e kam parë por nuk i kam kushtuar rëndësi dhe e kisha harruar.

E pyeta hoxhën për këtë fenomen. Ai më tha se kjo xhami nuk është e vetmja me shqiponjë dhe shtoi se të gjitha xhamitë duhet të kenë shqiponjë në minare. Shqiponja e vendosur në minare peshonte disa kilogram dhe ishte e punuar nga kromi. Mjeshtër të veqantë dhe një vinç poashtu i veqantë, ishin angazhuar për këtë punë që kishte zgjatur disa ditë. Sidoqoftë, përgaditjet ceremoniale që filluan nga shtëpia e deri te përfundimi i varrimit që bëri stafi xhamisë, ishte për çdo lakmi. Babai im u varros në vendlidje të tij, në një fshat malor, së paku 25 km larg nga xhamia ose lagja jonë në qytet. Megjithatë, në ceremoninë e varrimit erdhën disa qindra veta. Në mesin e tyre edhe disa hoxhallarë. Kjo për mua ishte një befasi (e këndshme) edhepse baba im nuk ka qenë nga ata që i ka frekuentuar shpesh xhamitë.

Hoxhallarët ishin të rinj pos njërit i cili ishte gati 100 vjeçar dhe qëndronte ulur rrënjë një lisi të madh nën hijen e të cilit ishtu hapur varri i babës. Të tjerët qëndronin në këmbë dhe e kryenin ceremoninë me një rregull sikur të ishin ndonjë kor i disiplinuar. Përshtypje krijuan Katër Hoxhallarë që qëndronin bashkë paralelisht në këmbë. Pos rrobave të tyre të zakonshme, kishin edhe kravata. Ishin të rruar e të krehur sikur të ishin oficerë ushtarak. Në mesin e tyre ishte edhe një djalë i ri dhe i pashëm, imami i xhamisë e cila para disa ditësh u demolua me siguri për shkak se edhe ajo kishte shqiponjë në minare. Kjo xhami gjendet në fshatin Velekincë, që është vendlidja e Mulla Idriz Gjilanit, luftëtarit nacionalist që luftoi për çlirimin e Gjilanit kundër forcave jugosllave.

Gjat procesit të varrimit një ndihmës i hoxhallarëve mbante një altoparlant lëvisëz dhe e barte mikrofonin me radhë te secili hoxhë kur bënte lutje e që ishin recitime nga Kurani. Por, hoxhallarët disa lutje, përfshirë tallkinin, i recituan në gjuhën shqipe.

Gjatë pamjes, e cila zgjati 5 ditë, erdhën edhe hoxhallarë tjerë. Një ditë erdhi edhe hoxha i Xhamisë së Vogël i cili në qytet njihet për shkak të nacionalizmit të tij pasi që gjatë viteve të 90-ta organizinte demonstrata me gjematin e tij kundër pushtetit serb. Ai për këtë punë ka mbajtë edhe burg. Ai foli për adetin e pritjes së pamjes. Tregoi që e pamja, në fakt, nuk ishte islamike aspak por ishte traditë e shqiptarëve dhe insistoi që kjo të mos zhdukej.

Katër Hoxhallarët një ditë e treguan edhe një organizim interesant të tyre që kishte të bëjë me përhapjen e elementeve radikale. Ata ishin marrëveshur që në xhamitë e tyre të mos ketë ‘mjekrrosha me pantolla t’shkurta’. Dy prej tyre, njëri imami i xhamisë së lagjes, më treguan se si e bënin këtë punë. Te dera e xhamisë kishin angazhuar nga një apo dy truproje të tipit të ‘bodibilderëve’ të cilët i ndalin ‘mjekrroshat’ dhe i pyesin:’Ku po shkon’? Nëse ‘mjekrroshi’ ofron përgjigje te knaqshme, atëherë ai lejohet të hyjë në xhami por duhet të radhitet në rreshtin e fundit nga ku do të mbikqyret. Në këtë mënyrë ‘mjekrroshit’ i bëhet me dije se është lejuar te falet por nuk është i mirseardhur dhe se është nën vëzhgim konstant. Kishte raste kur ‘bodibillderi’ edhe i kishte grushtuar disa ‘mjekrrosha’ për shkak që ata nuk u ishin përmbajtur rregullave dhe në disa raste kishin tentuar të shkaktonin çrregulli ne xhami. Kishte patur raste kur ata kishin tentuar edhe ta merrnin në dorë tërë xhaminë por ishin detyruar t’i binin pishman pas grushtimeve dhe pas kërcënimeve serioze që kishin pasuar.

Vetëm për shkak të insistimit të nënës, ne vëllezërit u dashtë që ta organizojmë një ceremoni që quhet Qilime. Katër Hoxhallarët thanë se nuk ka nevojë të organizohet kjo ceremoni për shkak se ka mbetë si traditë e panevojshme. ‘Veq hargjoheni kot’ tha njëri prej tyre. Por, ec e mbushja mendjen nënës e cila me siguri, për shkak të rrethit, mendonte se koritej nëse kjo punë nuk bëhej.

Katër Hoxhallarët dukej se e kishin ndryshuar edhe këtë ceremoni pasi që në të kishin futur recitime në shqip që nuk ekzistonin më parë. Madje, njeri prej tyre, imami i gjamisë së cilës iu dëmtua minarja, i këndonte edhe disa lutje të cilat në fakt ishin këngë e që i këndonte në shqip. Ishte e pabesueshme sa zë të bukur kishte. Sikur të ishte bërë këngëtar atë do ta xhelozonin shumica e estradës sonë por ai do të fitonte para shumë më tepër se që fiton tashti si imam.

Mbi të gjitha, te këta Katër Hoxhallarë, të cilët me siguri nuk janë të vetëm, ekzistonte një tendencë që fenë e tyre ta bëjnë sa më shqiptare. Edhepse nuk jam shumë i sigurt nëse religjioni duhet të nacionalizohet, në këtë rast të shqiptarizohet Islami, unë për vete u ndava shumë i knaqur me shërbimin dhe aktivitetin e këtyre Katër Hoxhallarëve.