VV: PDK po detyron drenicasit që të dalin nesër në Prishtinë

Dega e Vetëvendosjes në Komunën e Skenderajt ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës se po organizon në mënyrë të detyruar banorët e kësaj komune që të dalin në sheshet e Prishtinës për të festuar zgjedhjen e Thaçit president.

Lajme

25/02/2016 16:44

Sipas VV-së edhe në organizimet e më hershme të aktiviteteve të PDK-së, i gjithë mekanizmi i kontrollit i shërbente pushtetit. Sipas tyre, nxënësit liroheshin nga shkolla me urdhër që t’i bashkëngjiten aktiviteteve të PDK-së.

“Autobusët detyroheshin që të ndalonin qarkullimin në mënyrë që të gjithë qytetarët të mbesin në shërbim të partisë. Policët i shpërndanin tregtarët që të mos i kishte aktivitete tjera përveç aktivitetit të partisë”, deklarojnë VV-ja e Skenderajt.

Kjo degë shton se duke e parë që drenicasit nuk i shërbejnë një qeverie anti-kushtetuese në asnjë mënyre, regjimi ka ndërruar metodat e detyrimit.

“Autobusëve që zakonisht nuk u lejohej të nxjerrin drenicasit nga Skenderaj, tash janë vënë në shërbim të regjimit. Ky regjim për nesër ka caktuar që nga shumica e fshatrave të Skenderajt të ketë nisje të organizuar. Kjo formë e detyrimit me lista për të festuar kinse, tregon se deri ku mund të shkojë egoja e një njeriu për pushtet, ata të cilët nuk janë nesër në autobusin e partisë, futen në listën e linçimeve dhe shtypjes”, thuhet më tej në komunikatë.

Ndërkaq, sipas Vetëvendosjes, se Thaçi nuk ka respekt për drenicasit tregon fakti se ai ka kandiduar për president deputetin nga partia e tij, Rafet Rama.

“Duke i përdhosur dinjitetin, të cilin zor ta këtë kur i shihen 1 (njishat) në ditar Rafet Ramës i cili fatkeqësisht është nga fshati legjendë, Prakazi. Se sa gëzon respekt Hashim Thaçi në Skenderaj, tregon dera e mbyllur për të në kullën e Jasharajve, tregojnë shokët e tij neper burgje, tregojnë grafitet e fundit ku haptazi akuzohet së ka tradhtuar vlerat e luftës”, thuhet tutje.

Sipas Vetëvendosjes, ky regjim i ka shndërruar disa individ në servil ë, duke u dhënë benificione të cilat nuk i meritojnë, dhe që ata servilë të vazhdojnë t’i kenë ato benificione duhet të vrapojnë pas çdo aktiviteti të partisë.

Rast konkret se si partia i ka krijuar këta servilë, sipas Vetëvendosjes, është fryrja e listave të veteranëve, e që veteranët e 2015 janë në gjendje të bëjnë çdo gjë që u kërkohet të tregojnë zellin ndaj partisë.

“Premtimin dhënë me 1998 “DRENICË JEMI ME TY” qytetarët e Kosovës kanë mundësi që ta realizojnë nesër, duke mos lejuar realizmin e planeve të një regjimi shtypës, i cili do të vazhdonte të paktën edhe për 5 vitet e ardhshme që drenicasit t’i bënte të ndjehen fajtor për atë së çka po u ndodhë. Nesër, ora 10:00 sheshi Skënderbeu, mundësia më e mirë për t’i thënë këtij regjimi BOLL MO! Nuk ka individ ma të rëndësishëm se shteti!”, thuhet në fund.