Vuçiq nuk do ta pengojë referendumin në Republika Srpska

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar nga kryetari i Republika Srpskes (RS), Milorad Dodik që ta mendoj edhe njëherë idenë për të organizuar referendum.

Lajme

17/07/2015 13:43

Vuçiq ka thënë se i është lutur Dodikut që ta mendoj edhe njëherë çështjen e referendumit përmes së cilit kërkohet injorimi i ligjeve të Bosnje e Hercegovinës dhe, përshtatja e tyre me ato të Serbisë.

Mirëpo, në takimin e përbashkët me Dodik, Vuçiq ka thënë se Serbia, megjithatë, do ta përkrahë udhëheqësin politik të RS-së në çfarëdo iniciative.

“Serbia në asnjë mënyrë nuk do të përzihet në çështjet e brendshme të BeH dhe as në ato të RS-së. Por ne do ta përkrahim atë në iniciativat politike, qoftë edhe në Këshill të Sigurimit të BE-së”, transmeton lajmi.net.

Ndërkohë, Kuvendi i entitetit serb të Bosnjës, Republika Srpska, ka votuar të mërkurën për të mbajtur një referendum mbi besimit në sistemin e drejtësisë shtetërore në vend dhe te autoriteti i Përfaqësuesit të Lartë të komunitetit ndërkombëtar, duke tentuar që ky rajon të shkëputet nga juridiksioni boshnjak.

“Ju garantoj se referendumi do të mbahet,” tha presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, pas votimit. Nga 76 deputetë të pranishëm, 45 votuan në favor, ndërsa 31 abstenuan. Referendumi do të mbahet në mes të shtatorit.

Qytetarët e entitetit kryesisht serb të Bosnjës u përballën me një pyetje të vështirë: Nëse duhet t’i mbështesin apo jo “ligjet antikushtetuese dhe të paautorizuara të imponuara nga Përfaqësuesi i Lartë i komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht ligjet e vendosura në lidhje me Gjykatën dhe Zyrën e Prokurorisë së Bosnjës dhe Hercegovinës”.

Kjo lëvizje është dënuar gjerësisht. Diplomatët perëndimorë thanë se referendumi ishte i pakuptimtë duke qenë se Republika Srpska nuk kishte autoritet për të sfiduar gjykatat shtetërore të Bosnjës apo Përfaqësuesin e Lartë. Zyrtarët boshnjakë ndërkohë thanë se referendumi kërcënonte një paqe gjithnjë e më shumë të brishtë në Bosnje.

Emir Suljagic, zëvendësministri i Mbrojtjes i Bosnjës, një ish-aktivist për të drejtat e të rikthyerve boshnjakë në Republikën Srpska, tha se votimi ishte një sulm ndaj sovranitetit dhe integritetit të vendit.

“Nuk ka dyshim se ky vendim është një thirrje për luftë,” tha Suljagic.

“Unë nuk e di se tek kush apo çfarë do të mbështetet Dodik nëse bëhet fjalë për dhunë. Programimi dhe mbajtja e këtij referendumi do të shkaktojë padyshim dhunë,” deklaroi ai.

Të mërkurën në mbrëmje, ambasada amerikane në Bosnjë tha se referendumi i planifikuar përbënte një kërcënim “për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Bosnjës dhe Hercegovinës”.

“Ne e kundërshtojmë këtë referendum dhe çdo përgatitje për të si një shkelje të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit (1995) dhe për shkak se i druhemi pasojave që do të ketë për njerëzit në Republikën Srpska dhe për Bosnjën dhe Hercegovinën,” thuhej në deklaratën e SHBA-së.

Zyra e Përfaqësuesit të Lartë, e cila ka për detyrë të mbikëqyrë vënien në zbatim të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, tha se entiteti kishte marrë një vendim përtej kompetencave të tij.

“T’i kërkosh qytetarëve të votojnë kundër pjesëve më të rëndësishme të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit është papërgjegjshmëri dhe tregon gatishmërinë e një elite të fuqishme për të vazhduar ta çojë Republikën Srpska dhe Bosnjën dhe Hercegovinën në një krizë edhe më të thellë,” tha ODHIR.