Vuçiq: Kemi qenë afër incidenteve me palën kosovare në Bruksel

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Beogradi tashmë është i gatshëm për bisedimet e radhës me Prishtinën.

Lajme

23/07/2015 15:01

Ai në një prononcim për mediat serbe, ka thënë se shpreson që një pjesë e konsiderueshme e çështjeve të zgjidhet para samitit të Vjenës që pritet të mbahet më 27 gusht të këtij viti.

“Ne jemi të gatshëm për këto bisedime. Mendoj që do të shkohet kah ajo që, një pjesë e konsiderueshme çështjes, të zgjidhen para konferencës së Vjenës. Mendoj se të gjithë besojnë se kjo konferencë do të jetë një festë e madhe për Ballkanin”, ka thënë kryeministri serb, transmeton lajmi.net.

Ai ka folur edhe për disa detaje që e karakterizojnë dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel, duke thënë se gjatë këtij procesi ka pasur raste kur për pak i kanë ikur incidenteve.

Vuçiq ka përsëritur se ky dialog është i vështirë për të dy palët pasi, sipas tij, të dyja delegacionet i hedhin fajin njëri tjetrit.

“Këto bisedime janë gjithmonë të vështira, nganjëherë kanë qenë më të lehta, nganjëherë më serioze, ndërsa nganjëherë kanë qenë edhe buzë incidentit”.(lajmi.net)