Vota ndëshkuese shkoi te ‘Vetëvendosje’

Pas publikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit, ku koalicioni PAN (PDK-AAK-Nisma) arriti t’i marrë rreth 34% të votave, VV-ja rreth 27%, LAA-ja (LDK-AKR-Alternativa) rreth 25%, krijimi i qeverisë së re do të jetë mjaft i vështirë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Lajme

13/06/2017 08:31

Kjo pasi që deri më tash VV-ja dhe LAA-ja janë deklaruar publikisht se nuk do të bëjnë koalicion me PAN-in, e ky i fundit nuk do ta ketë aspak të lehtë t’i sigurojë numrat për krijimin e qeverisë.

Kështu konsiderojnë njohësit e çështjeve politike në Kosovë, të cilët thonë se gjasat janë mjaft të mëdha që “Vetëvendosje” dhe blloku LDK-AKR-Alternativa të lidhin koalicion paszgjedhor dhe ta formojnë qeverinë e re, në rast të dështimit të koalicionit më të madh, PDK-AAK-Nisma, për ta bërë një të tillë gjë.

Ata me këtë rast vlerësojnë se befasia e zgjedhjeve të 11 qershorit ka qenë pikërisht lëvizja “Vetëvendosje”, e cila arriti ta dyfishojë rezultatin dhe ta dërgojë LDK-në në pozitën e tretë, ndonëse garoi bashkë me tri subjekte të tjera.