Vjena, vendi më i përshtatshëm në botë për jetesë

Vjena ka larguar Melburnin nga pozita e parë në listën e vendeve më të mira për të jetuar, është vlerësuar në Indeksin e Njësisë për Analiza në Economist, që analizon vendet më të përshtatshme për jetesë.

Bota

14/08/2018 10:00

Dy metropolet kanë qenë tejet ngushtë në analizat vjetore për vite me radhë, teksa Melburni ka fituar këtë pozitë në shtatë edicionet e fundit të studimit.

Këtë vit, një ulje e kërcënimit për sulme militante në perëndim të Evropës dhe shkalla e ulët e krimit, ka ngritur Vjenën në pozitën e parë.

Në fund të tabelës gjenden, Damasku në Siri, i përcjellur nga kryeqyteti i Bangladeshit, Daka dhe Lagosi në Nigeri.

Në këtë analizë nuk janë përfshirë disa nga kryqytetet më të rrezikshme në botë si Bagdadi apo Kabuli.

“Derisa në vitet e fundit qytetet në Evropë janë përballur me kërcënim të terrorizmit, që ka shktaktuar rritje të masave të sigurisë, viti i kaluar ka kthyer situatën në normalitet”, është thënë përmes një deklarate të këtij grupi, pas publikimit të të dhënave.

Osaka, Kalgari dhe Sidnej kanë kompletuar listën e pesë vendeve të para, derisa edhe më herët vendet e para plotësohen me qytete të mesme, të pasura dhe pa shumë popullësi.

Sa më i madh dhe më i ngarkuar që është një qytet, aq më shumë ka mundësi për krim.

Në këtë vit, Londra është listuar e 48-ta.