Ndotja që shkaktojnë veturat është sa çereku i termocentraleve

Heqja e kufizimit për vjetërsinë e veturave të importuara, po e ndot ambientin dhe po rrezikon sigurinë në komunikacion. Në Kosovë, vitin e kaluar, është shtuar numri i importit të veturave të përdorura në raport me vitin 2014.

Lajme

14/05/2016 11:26

Berat Thaçi, analist i politikave në Institutin GAP për KALLXO.com këtë gjë e konsideron të rrezikshme për ambientin dhe sigurinë në trafik.

“Rritja e importit të veturave të përdorura ka rritur të hyrat doganore, mirëpo ka ndikuar që të rritet mesatarja e vjetërsisë së veturave të regjistruara. Kjo rritje në vjetërsinë e veturave në qarkullim pastaj ka efekte negative në sigurinë në komunikacion dhe rrit ndotjen e ambientit. Në bazë të një studimi që kemi bërë vitin e kaluar, kemi gjetur se veturat që qarkullojnë në Kosovë lirojnë CO2 sa çereku i termocentraleve në Kosovë”, thotë Thaçi.

Ai shtimin e veturave të vjetra të importuara ia atribuon vendimit të qeverisë për heqjen e kufizimit të vjetërsisë së makinave.

“Më 24 mars 2015, Qeveria e Kosovës largoi në tërësi kufizimet rreth vjetërsisë së veturave të importuara që mund të regjistrohen në Kosovë. Kjo ka ndikuar që të rritet numri i veturave të përdorura të importuara nga 16.7 mijë në vitin 2014 në rreth 18 mijë vetura në vitin 2015”, shpjegon Thaçi.

Në vitin 2015 sipas statistikave të Agjencisë së Statistikave (ASK) në Kosovë janë të regjistruara rreth 342 mijë mjete motorike dhe jomotorike apo 18.46 për qind më shumë se në vitin 2014.

Vetura përbëjnë pjesën më të madhe tëmjeteve të regjistruara- 281,847 të tilla, kurse rimorkiot nën 3.5 tonë përbëjnë numrin më të vogël të mjeteve- 286 të regjistruara.

Sipas një analize të Institutit GAP, në vitin 2014 në Kosovë ishin të regjistruara gjithsej 286,505 automjete. Më e vjetra ishte prodhim i vitit 1942. Në përgjithësi mesatarja e vjetërsisë se veturave që qarkullojnë në Kosovë është 18 vjet, apo 10 vjet më shumë sesa mesatarja e veturave që qarkullojnë brenda BE-së.

Berat Thaçi nga GAP-i  thotë se “kur marrim parasysh dëmet anësore që shkaktohen nga veturat e përdorura, vendimi i Qeverisë së Kosovës për të hequr kufizimin në importin e veturave të përdorura ka ndikuar negativisht në mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve”.

Gazeta Jeta në Kosovë në muajin prill publikoi analizën e Agron Demit po nga Instituti GAP në lidhje me ndotjen nga veturat.

Sipas Agjencisë së Statistikave në territorin e Kosovës për vitin 2015 kemi 2,012 kilometra rrugë. Rrugët regjionale përbëjnë 65 për qind të rrugëve, rrugët nacionale 31 për qind dhe autoudhët 4 për qind.

Nga totali i rrugëve që ekzistojnë në vend, 1,922 kilometra, apo 95.5 për qind janë të asfaltuara, ndërsa 90 kilometra apo 4.5 për qind të paasfaltuara.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Infrastrukturës prezantuar nga ASK-ja deri në vitin 2015 janë shtruar 78 kilometra autoudhë, 1,305 kilometra rrugë regjionale dhe 629 kilometra rrugë nacionale.

Shtim i numrit të fluturimeve

Përveç shfrytëzimit të rrugëve për qarkullim, kosovarët preferojnë edhe udhëtimet me aeroplanë.

Sa u përket numrit të fluturimeve, gjithnjë sipas Agjencisë së Statistikave, në transportin ajror, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP) “Adem Jashari” për vitin 2015 janë realizuar 6,334 fluturime, respektivisht 12,668 vajtje/ardhje, apo 339 fluturime përkatësisht 678 vajtje/ardhje më shumë se në vitin 2014, pra me një rritje prej 6 për qind.

Numri i udhëtarëve që e kanë shfrytëzuar aeroplanin si mjet udhëtimi për vitin 2015 ishte 1.5 milionë. Në raport me vitin 2014 ka një rritje prej 144 mijë udhëtarëve.

Numri mesatar i udhëtarëve për një fluturim është 243 persona që është llogaritur nga numri i udhëtarëve për muaj në raport me numrin e fluturimeve për muaj.

Valentina Gara, zëdhënësja e ANP-së “Adem Jashari” për KALLXO.com thotë se aeroporti mundohet t’u përshtatet kërkesave të kompanive ajrore dhe udhëtarëve të tij.

“Limak që menaxhon me ANP “Adem Jashari”, përveç shumë investimeve në infrastrukturë dhe rritjes së nivelit të shërbimeve, ka hartuar edhe Programin Nxitës për dy vjetët e ardhshëm dedikuar kompanive ajrore të cilat ndërmarrin iniciativa për të rritur numrin e fluturimeve në ANP apo për hapje të linjave te reja ajrore. Ky program ka për qëllim të shndërrojë ANP-në në aeroport sa më atraktiv për operatorët ajrorë,” thotë Gara.

Rënie e përdorimit të trenave

Për sa i përket transportit hekurudhor, brenda Kosovës kemi 333 kilometra binarë dhe 110 kilometra binarë hekurudhorë privatë. Në vend kemi 8 lokomotiva, të cilat bartin 27 vagonë, prej tyre 18 vagonë bartin bagazhe dhe 9 vagonë bartin udhëtarë.

Numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi për vitin 2015 ishte 269,160. Krahasuar me vitin 2014 ku numri i udhëtarëve ishte 339,580, ka një ulje prej 20.74 për qind.

Transporti i mallrave me tren në vitin 2015 ishte 736,930 tonë, ku në raport me vitin 2014 vërehet se ka pasur ulje për 111,230 tonë./kallxo.com