Vetëm 10 minuta, sa për betim

Vazhdimi i paraburgimit të Sami Lushtakut deri më 20 janar e ka vënënë hall PDK'në në Skenderaj, e cila ka kërkuar nga EULEX’i që ta lirojë Kryetarin e tyre vetëm për 10 minuta, sa i duhen atij për ta bërë betimin në Asamblenë Kumunale

Lajme

04/12/2013 10:08

Kryetari i rizgjedhur i Skenderajt,  me mbi 80 për qind të votave, Sami Lushtaku, po vazhdon të mbahet në paraburgim, në pritje të përballjes me një proces gjyqësor për krime të luftës së supozuara se kanë ndodhur në vitin 1998 në një fshat të Drenicës.

Vazhdimi i paraburgimit të tij deri më 20 janar e ka vënë në hall Partinë Demokratike të Kosovës në Skenderaj, e cila ka kërkuar nga EULEX’i që ta lirojë Kryetarin Lushtaku vetëm 10 minuta, sa për ta bërë betimin.

Në të kundërtën,  nëse Lushtaku nuk e bën betimin një muaj pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas nenit 57 të Ligjit për Qeverisje Lokale, kjo Komunë rrezikon që të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme për ta zgjedhur Kryetarin e ri.

Duke u gjendur në një situatë të tillë, Dega e PDK’së në Skenderaj i ka nisur një letër Misionit të EULEX’it në Kosovë, përmes së cilës ka kërkuar që Lushtakut t’i mundësohet që ta bëjë betimin në Asamblenë Komunale

“Ne si subjekt ia kemi bërë kërkesën trupit gjykues që Kryetari të vijë nga burgu dhe për dhjetë minuta të betohet”, ka thënë për “Zëri ” Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, njëherazi Sekretari i Degës së PDK’së në Skenderaj, Fadil Nura

“Kjo konsiderojmë se nuk e pengon procesin që po zhvillohet ndaj tij. Ashtu siç gjykata merr vendime në emër të popullit, ne po kërkojmë nga EULEX’i që të respektojë vullnetin e 88 për qind të qytetarëve të Skenderajt”.

EULEX ka konfirmuar marrjen e kësaj kërkese për të cilën do të vendoset sot pasdite.