Veseli: Shifra me mbi 40 mijë veteranë është enorme

Numri i veteranëve të luftës nuk është më i madh se sa ai që ka qenë në shtatorin e vitit 1999.

Lajme

25/09/2018 21:18

Madje shifra me mbi 40 mijë është enorme dhe nuk ka mundësi që të jetë ajo. Kështu tha kryetari i Kuvendit të Kosovës në një intervistë për KosovaPress ku ka folur  për listat qe veteranëve për të cilët së fundmi është ngritur edhe aktakuzë për 12 persona.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke folur për numrin e veteraneve të luftës ka thënë se shifra mbi 40 mijë është enorme. Ai ka shtuar se u beson atyre të cilët kanë pasur përgjegjësi komanduese porse nuk dëshiron të flasë me numra.

Veseli: Unë u besoj komandantëve që kanë pasur përgjegjësi

“Unë do t’i referohem më tepër komandantëve të luftës në zona operative dhe komandantit të përgjithshëm i cili ka folur me atë zë. Unë nuk do të flas për numra. Unë ju besoj ma tepër atyre të cilët e kanë pasur përgjegjësinë komanduese. Ka statistika, kemi statistika në vitin 1999, pas përfundimit të luftës , periudhën e transformimit. Pikërisht tani po bëhen 19 vite. Në shtatorin e 99-tës kur kanë dalë Trupat Mbrojtëse të Kosovës, kemi pasur një listë, në të njëjtën kohë e kanë edhe organizatat e veteranëve, kanë zonat operative, pastaj, për fat të mirë jemi shumë luftëtarë të cilët kemi qenë edhe në atë kohë jemi edhe tash. Ky numër është i madh”, thotë Veseli.

Kryetari i Kuvendit thotë se statusi i luftëtarit të lirisë nuk duhet të bëhet temë dhe nuk duhet të abuzohet. Sipas tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe luftëtarët e lirisë janë pjesa më e shenjtë e sakrificës sublime të popullit të Kosovës.

Veseli: Ata të cilët kanë abuzuar do ta marrin përgjigjen e merituar

“Luftëtarët e vërtetë të cilat janë të UÇK-së nuk duhet ta ndiejnë veten fare të cenuar. Pjesa e cila mund të jetë manipuluese ata duhet të turpërohen. Nuk është statusi i luftëtarit ai i cili i zgjidh problemin social të qytetarëve tanë. Është zhvillimi ekonomik ai i cili i zgjidh, është perspektiva, për arsye se statuset sociale në shumicën e rasteve janë peng të zhvillimit ekonomik edhe të atyre familjeve të cilat varen prej një statusi social. Ne duhet të mendojmë në mënyrë më pozitive në këtë drejtim. Luftëtarët të mos cenohen, mos të preken. Ata të cilët kanë abuzuar do të marrin përgjigjen e merituar por , askush, edhe ata të cilët abuzojnë me këtë situatë, e cila nuk është shumë pozitive do të marrin edhe ata përgjigjen e merituar nga qytetarët tanë. Kosova ka luftuar e tëra në luftë, të gjithë kanë qenë çlirimtarë por, luftëtarët e UÇK-së nuk janë ky numër i cili është ”, thotë Veseli.

Së fundmi Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për 12 persona, anëtarë të komisionit qeveritar të ngarkuar për të verifikuar statusin e veteranëve. Bashkë me aktakuzën Prokuroria ka publikuar edhe një listë me mbi 20 mijë emra të personave që pretendohet se janë veteranë të rrejshëm.