Veseli: Për ruajtje të raporteve me SHBA-të, taksa të pezullohet me kushte për 120 ditë

Kryeparlamentari Kadri Veseli, njëherësh Kryetar i PDK-së, ka deklaruar se taksa 100% e vendosur ndaj Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës nuk do të hiqet, por ajo mund të pezullohet përkohësisht dhe me kushte, si mirëbesim ndaj SHBA-ve dhe BE-së për disa arsye.

Lajme

28/01/2019 19:10

“Taksa doganore nuk duhet të hiqet, por ajo duhet të pezullohet për 120 ditë dhe gjatë kësaj periudhe duhet të vihen në fuqi disa kushte konkrete për pezullimin e saj. Dhe nëse pas 120 ditësh nuk kemi një situatë të re, ku sjelljet e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës ndryshojnë rrënjësisht, atëherë e njëjta taksë vazhdon, por edhe vendimet e tjera që me automatizëm dërgojnë në reciprocitet të plotë me këto dy vende”, ka thënë Veseli, përcjell lajmi.net.

Këto komente, Veseli i ka bërë në një deklaratë të publikuar në profilin e tij në Facebook, në të cilin po ashtu ka treguar për një takim që ka pasur sot me Ambasadorin e SHBA-ve në Prishtinë, Philip Kosnett.

Ai ka thënë se interesat amerikane në Kosovë janë edhe interesa të Kosovës dhe po ashtu interesat e Kosovës janë edhe interesa të SHBA-ve, ndërsa ka shtuar se ky është një fakt i pamohueshëm dhe kështu do të mbetet gjithmonë.

“Kosovës nuk i duhet kursi i konfrontimit me SHBA-të e as me BE-në. Përkundrazi! Gjuha e kushtëzimeve ndaj partnereve tonë kryesorë strategjikë si SHBA dhe BE nuk do ta ndihmojë Kosovën as në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial, e as në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike”, ka shkruar kreu i Kuvendit.

Deklarata e plotë: