Veseli: Parlamenti Evropian i gatshëm të procedojë me përkrahje për liberalizimin e vizave /FOTO

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka filluar vizitën zyrtare në Strasburg për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Lajme

12/06/2018 17:32

Kryeparlamentari Veseli është pritur sot në takim të posaçëm nga kryetari i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, me të cilin ka diskutuar për hapat që pritet të ndërmerren gjatë muajve në vijim, për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave.

Kreu i Kuvendit të Kosovës ka marrë zotimin e kryetarit të Parlamentit Evropian se janë të gatshëm të procedojnë me vendimin e eurodeputetëve, sapo Komisioni Evropian të dalë me raportin pozitiv për vizat.

“Jam i lumtur të konfirmoj pohimin e presidentit të Parlamentit Evropian se do të kemi përkrahjen e plotë të Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë. Ky është një lajm shumë i mirë. Ne po presim raportin pozitiv në fund të këtij muaji, në të njëjtën kohë pastaj në Parlamentin Evropian do të marrim përkrahjen e nevojshme pro lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë. Ky është një rrugëtim në disa hallka dhe ne po sensibilizojmë të gjithë akterët në mënyrë që këtë vit qytetarët tanë të mund të lëvizin pa viza gjatë këtij viti”, tha kryeparlamentari Veseli pas takimit me presidentin e Parlamentit Evropian.

Kreu i Kuvendit të Kosovës e ka informuar kreun e Parlamentit Evropian për zhvillimet politike në Kosovë dhe për reformat e nevojshme qe po ndërmarrin institucionet e Kosovës në procesin e integrimeve evropiane.

Veseli tha se Kuvendi i Kosovës shqyrton me prioritet të veçantë dhe miraton të gjitha projektligjet që dalin në procesin e integrimeve dhe ka komisionin e posaçëm që trajton përputhshmërinë e të gjitha ligjeve me ligjet e Bashkimit Evropian.

Kryetari Veseli falënderoi z. Tajani dhe Parlamentin Evropian në përgjithësi, për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë shtetit të Kosovës dhe perspektivës evropiane të saj.

Kreu i Kuvendit potencoi vendosmërinë e Kosovës për të vazhduar rrugën e saj përpara në agjendën euro-atlantike, si prioritet nacional, për të cilin ekziston konsensus i plotë midis subjekteve politike.

35198181_10217257348203693_4897817461241413632_n 35180980_10217257349243719_3374631030819389440_n 35151269_10217257349603728_5657753611497635840_n 35236433_10217257349803733_1923769036458426368_n 35143530_10217257350083740_6762061811505168384_n