Veriu në tension

Organet komunale të sigurisë në Mitrovicë shqetësohen për sigurinë në prag të zgjedhjeve dhe për agresivitetin e kontrabanduesve kohëve të fundit. Thonë se strukturat paralele janë duke e mbajtur në tension situatën e sigurisë në këtë rajon.

Lajme

14/10/2013 11:50

Autoritetet komunale në Mitrovicë kanë vlerësuar se strukturat paralele janë duke e mbajtur në tension situatën e sigurisë në këtë rajon.

Në një takim të Komitetit Lokal për Siguri Publike që u mbajt në Mitrovicë u vlerësua se situata e sigurisë gjatë javës së fundit në veri të Mitrovicës ka qenë e qetë, mirëpo “me tendencë të përkeqësimit”.

Drejtori Komunal i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se java është karakterizuar me aktivitete të strukturave paralele serbe kundër mbajtjes së zgjedhjeve të 3 nëntorit.

“Strukturat paralele kanë organizuar protestë kundër mbajtjes së zgjedhjeve dhe vazhdimisht janë duke shpërndarë afishe kundër daljes së qytetarëve serbë në zgjedhje”, tha Bala.

Sipas tij, gjatë javës së kaluar pos protestës janë shënuar edhe dy incidente në veri. Ai përsëriti kërkesën për rritjen e masave të sigurisë në veri, në mënyrë që të parandalohen grupet ekstremiste që janë kundër zgjedhjeve.

Ndërsa, Kapiteni Ahmet Xhoxhi nga Policia e Kosovës, tha se në jug të qytetit situata është e qetë, ndërsa shfaqi shqetësimin për kontrabanduesit të cilët, sipas tij, janë bërë më agresivë kohëve të fundit.

“Situata në përgjithësi është e qetë, fushata parazgjedhore gjithashtu është e qetë dhe nuk kemi asnjë problem”.

“Grupet që janë duke u marrë me kontrabandë janë bërë shumë agresive kohëve të fundit, për çka jemi detyruar që të angazhojmë edhe njësitet e specializuara për luftimin e tyre”, tha Xhoxhi.