Verifikimi i veteranëve të UÇK-së, në qorr sokak

Procesi i verifikimit të veteranëve të luftës rrezikon të dështojë në tërësi, pasi që listat jo që nuk u pastruan, por u fryn dhe atë nga vetë komandantët e njësive.

Lajme

25/02/2015 20:17

Se procesi ka devijuar tashmë e pranojnë edhe anëtarët e Komisionit verifikues. KTV ka kuptuar se menjëherë pas publikimit edhe Zona e Llapit ka kërkuar që t’i tërheqë listat prapa për t’i rishikuar, por ka qenë Komisioni ai që nuk e ka lejuar një gjë të tillë.

Edhe zonat tjera i kanë pasur listat e gatshme dhe nuk i kanë publikuar për faktin se i janë frikësuar reagimit të publikut.

Publikimi i listave të vetëm dy zonave ka qenë vetëm test për matjen e pulsit të publikut, i kanë thënë KTV-së vetë anëtarët e Komisionit.

Kur do të publikohen të gjitha listat përfundimtare nuk e di askush nga komisioni, ngase parashikimet dështuan disa herë.

Kushdo që ka dhënë dëshmi të rrejshme mund të ndiqet penalisht, qoftë edhe vetë komandantët e njësive që nënshkruan për ushtarët apo invalidët e rremë.