Vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave, pa bazë të fortë ligjore

Vendimi i kryeministrit Ramush Haradinaj për rritjen e pagave, përveç që ka shkaktuar reagime të shumta në skenën politike, ka shkaktuar paqartësi edhe tek opinioni publik.

Lajme

13/06/2018 15:24

Gjykata Kushtetuese konstatoi të hënën se vendimi për pagat nga ana e Qeverisë Haradinaj, nuk përbënte shkelje të Kushtetutës, shkruan lajmi.net.

E përveç pagave shumë të larta që do të marrin zyrtarët qeveritarë, nga njohës të ndryshëm të çështjeve ekonomike është duke u shtruar një problem tjetër.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit ‘Riinvest’, njëherësh edhe njohës i çështjeve ekonomike, Alban Hashani, tha për lajmi.net se problemi kryesor qëndron në procedurën e marrjes së këtij vendimi.

“Nuk ka të bëj vetëm me çështjen e dëmtimit të buxhetit sepse projeksioni është i paraparë, por telashet qëndrojnë tek procedura, ose si ka shkuar kjo proceduralisht”, thotë ai.

Hashani thotë se kjo çështje është dashur të vendoset me Ligjin për Pagat dhe jo të mirren vendime siç thotë ai pa një bazë të fortë ligjore.

“Ajo është dashtë të vendoset me ligj, Ligji për Pagat është dashtë me u rregullu më shpejt dhe jo të merren vendime pa një bazë të fortë ligjore, sepse pastaj kjo lloj praktike e vendosjes ad-hoc, krijon edhe telashe për të ardhmen. Çdo hapësirë e cila nuk është e mbuluar si duhet me kuadër ligjor i jep diskrecion kësaj Qeverie për me marrë vendime, dhe këtu është telashi kryesor dhe procedanti jo i mirë që i kanë dhanë aktgjykimi i fundit i Kushtetueses”, është shprehur Hashani.

Ai po ashtu thotë se Qeveria e Kosovës, duke parë opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsionit nuk është dashur të marrë vendime të tilla, dhe për bazë është dashur të merret edhe vendimi i AKK-së.

“Ka lënë hapësirë që në të njëjtën formë, edhe për vendime tjera ku nuk ka mbulueshmëri ligjore të merren vendime ad-hoc, dhe rasti i pagave është edhe më specifik se këtu ka pasur edhe një opinion të AKK-së se kjo paraqet konflikt interesi, dhe për pasojë Qeveria ishë dashtë me e marrë për bazë opinionin e tyre si institucion”, përfundoi Hashani.

Me vendimin e ri të Qeverisë, kryeministri Haradinaj do të marrë pagë prej 2950 eurosh, ndërkaq që zëvendësit e tij do të marrin nga 2500 euro në muaj. /Lajmi.net/