Veliaj: Ndaj Serbisë jemi superiorë moralisht dhe ushtarakisht

Fuqia jonë negociuese është më e madhe në Ballkan. Sot jemi një anëtar i NATO-s dhe kjo do të thotë që është bërë praktikisht e pamundur që Shqipëria të kërcënohet në territorin e saj, ka thënë ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj në një intervistë për Radio Kosovën

Lajme

02/05/2014 00:59

Sipas Veliajt Shqipëria sot është në rrethana të tjera.

“Fuqia jonë negociuese është më e madhe në Ballkan. Sot jemi një anëtar i NATO-s dhe kjo do të thotë që është bërë praktikisht e pamundur që Shqipëria të kërcënohet në territorin e saj. Jemi në një tavolinë me një superioritet moral dhe sigurisht edhe ushtarak në këtë situatë. Ndaj gjykoj që mbi këtë realitet të ri duhet të avancojmë këtë marrëdhënie”, ka theksuar ministri Veliaj.

Veliaj ka shtuar se ndryshimi i qëndrimit sot nuk varet më aq nga vendimet politike, por edhe nga realiteti që kemi sot në Ballkan.

“Sot realiteti i Kosovës është i pakthyeshëm. Sot realiteti i forcimit të faktorit shqiptar në Ballkan politikisht dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe me statusin e pritshëm ‘kandidat’ është i pakthyeshëm”.

“Fakti që kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, të Shqipërisë ishin bashkë në Londër për të folur në konferencën e BERZH-it për ekonominë, për zhvillimin e ekonomisë, për marrëdhënie tregtare dhe jo për luftë e për paqe, do të thotë që de facto ne jemi në një fazë të re. Unë gjykoj që është vetëm çështje kohe derisa Serbia të pranojë këtë realitet të ri. Me gjasë edhe Greqia, Rumania, Sllovakia me shenjat që kanë dhënë, janë gati të pranojnë këtë realitet të ri për njohjen e Kosovës. Gjykoj që nuk është çështja ‘a do të ndodhë’, por ‘kur do të ndodhë’”.

Në fund Veliaj është pyetur edhe për vizitën e paralajmëruar të kryeministrit Edi Rama në Beograd.

“Kjo është diçka që po përgatitet nga agjenda e kryeministrit dhe nuk jemi ende gati për të publikuar detaje”, ka thënë Veliaj për Radio Kosovën.